E Hënë, 2 Nëntor 2026

MURATIT I PERGJYSMOHET RROGA

01/06/2005  Skuadra e Iraklisit ka vendosur që të ripërtërijë kontratën me Edvin Muratin, nëse “asi” shqiptar pranon një përgjysmim të të ardhurave të tij. Ditën e djeshme është zhvilluar një mbledhje e drejtuesve të klubi selanikas për të ardhmen e skuadrës, si dhe për rinovimin e kontratave me disa nga lojtarët më të rëndësishëm. Sipas gazetës sportive të Selanikut “MetroSport”, një nga lojtarët që do t’u kërkohet të qëndrojnë në skuadër, do të jetë edhe mesfushori shqiptar Edvin Murati. “Iraklis është gati që t’i bëjë kërkesë për rinovim kontrate Edvin Muratit, për të cilin është shprehur në mënyrë pozitive edhe trajneri Kofidhis, thekson gazeta helene. Shqiptari ka pranuar një ulje të rrogës. Nga ana e Iraklis bëhet e ditur se Muratit ka për t’u propozuar një rrogë fikse vjetore prej 90 mijë eurosh, plus premiot e pjesëmarrjes në ndeshje”. Shuma e ofruar nga skuadra greke për rinovimin e kontratës është gati sa gjysma e asaj që Murati merrte më parë te Iraklis. Kur “asi” shqiptar ka mbërritur në kampionatin helen nga Franca, ku ai luante me Lilën, ka firmosur një kontratë sipas së cilës ai merrte rreth 200 mijë euro. Por, mesa duket drejtuesit e skuadrës selanikase janë trembur nga dëmtimi i rëndë që pësoi Murati sezonin e kaluar, prej të cilit humbi gati gjysmën e sezonit, dhe kështu kanë ulur në mënyrë drastike rrogën fikse të tij. Nga ana tjetër grekët ia njohin vlerat mesfushorit të krahut të majtë dhe shpresojnë se Murati do të pranojë ofertën e tyre. Madje gazeta helene shprehet më se e sigurt për këtë. “Shqiptari do të vazhdojë karrierën e tij te skuadra e Selanikut”,ka përfunduar lajmin “MetroSport”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›