E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobisnin bizneset, pranga dy të rinjve

Pogradec, u kapën duke marrë paratë nga një 46-vjeçar që ishte kërcënuar me jetë

Dy të rinj nga Pogradeci, që ishin shndërruar në tmerrin e bizneseve për shkak të gjobave që u vendosnin, më në fund janë kapur nga policia. Ata janë kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa kanë qenë në survejim pas denoncimeve të bëra në adresë të tyre.

Ka qenë një operacion i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës, në bashkëpunim me forcat speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që ka bërë të mundur vënien në pranga të dy të rinjve që kërcënonin pronarët e bizneseve të ndryshme për t’u marrë shuma të mëdha parash.

Drejtoria e Policisë së Korçës njoftoi zyrtarisht se dy të rinjtë nga Pogradeci, me precedentë penalë për “vrasje të mbetur në tentativë”, “plagosje” dhe “armëmbajtje pa leje”, janë vënë në përgjim dhe në survejim, derisa janë kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa po i merrnin një biznesmeni një shumë të madhe parash. Mësohet se ata i bënin presione këtij personi, duke e kërcënuar me vrasje dhe me shkatërrim të biznesit. Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se të ndaluarit janë Meardi Berberi 24 vjeç dhe Aleks Hamzallari, 26 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes.

Policia sqaroi se për dy të rinjtë ishte bërë një denoncim që ka vënë në lëvizje strukturat operacionale të policisë së Korçës dhe Drejtorisë së Përgjithshme, që kishin konstatuar më pas se ata e kishin kryer këtë veprim në mënyrë të përsëritur me shumë biznese dhe persona fizikë.
Berberi dhe Hamzallari piketonin biznesmenët dhe më pas i kërcënonin se do t’i vrisnin, do t’u merrnin peng familjarët apo do t’u hidhnin në erë bizneset në rast se nuk paguanin shumat e kërkuara prej tyre. Ka qenë shtetasi Gj.L., ai që ka bërë kallëzimin, pasi ishte kërcënuar disa herë me vrasje nga dy të rinjtë që kërkonin një shumë të madhe parash. Pasi ka kryer denoncimin, duke vënë në dijeni policinë, biznesmeni është paraqitur në vendin e caktuar për dorëzimin e lekëve, në periferi të qytetit të Pogradecit. Dorëzimi ishte lënë të bëhej në orët e natës, për të mos rënë në sy të dëshmitarëve. Dy të rinjtë kanë shkuar në vendin e caktuar me makinë dhe në momentin kur është bërë dorëzimi i parave, ata janë vënë në pranga, pasi kanë qenë nën vëzhgimin e forcave speciale, që kanë mbyllur me sukses operacionin për kapjen e tyre.

Ata janë kapur me një shumë prej 4000 eurosh, që sapo ia kishin marrë përmes kërcënimeve biznesmenit me inicialet Gj.L. Dy të rinjtë e kishin kërcënuar se do ta vrisnin në rast se nuk paguante, gjë që e ka detyruar 46-vjeçarin t’u drejtohet për ndihmë uniformave blu. Ndërkaq po hetohet për raste të tjera të gjobvënieve të mundshme të kryera nga ana e dy të rinjve problematikë që njihen si kontingjent kriminal nga policia.

Burimet zyrtare policore bënë të ditur se pritet të dokumentohen edhe raste të tjera. Meardi Berberi dhe Aleks Hamzallari akuzohen për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Pas arrestimit të dy pogradecarëve, hetimet do të ndiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›