E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobiten operatoret e telefonise celulare nga Antitursti italian

Nje nga kompanite e gjobitura ne Itali

Nga Milano, Dritan Gremi

Milano, 25 mars 12:16 NOA - “TIM”, “Vodafone”, “Wind” dhe “Tre”, të katër operatorët e telefonisë celulare në Itali, janë ndëshkuar sërish me gjoba nga Antitrusti Italian, duke provuar edhe një herë se organi i cili mbron të drejtat e konsumatorit në shtetin fqinj, “nuk fle”.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “TGFin”, sipas së cilës të katër këta operatorë, si dhe shoqëri të “treta” të cilat në bashkëpunim me ta, i ofrojnë konsumatorit vendas shërbime të ndryshme si p.sh melodi apo logo, janë ndëshkuar me gjobë.

Gjobën më të kripur e ka marrë “Telecom Italia” me plot 640.000 Euro, për të vijuar më pas me “Vodafone Italia” me 560.000 Euro, “Wind” me 480.000 Euro e “Tre” me 155.000 Euro.

Gjithashtu janë gjobitur dhe shoqëri të treta të cilat në bashkëpunim me operatorët e mësipërm i ofrojnë konsumatorit në Itali shërbime të ndryshme multimedialë si melodi, logo, etj., përkatësisht, “Zeng” (55 mijë euro), Zed (95 mijë euro), “Buongiorno”, (115 mijë euro) e Dada (125 mijë euro).

Gjithnjë sipas “TG Fin”, këto sanksione janë ndërmarrë për arsye se të katër operatorët e telefonisë celulare, si dhe “shoqëritë” e treta, kanë abuzuar me konsumatorin duke mos qenë aspak transparentë në promovimin e aplikimin e tarifave mbi shërbimet multimediale të cilat i ofroheshin këtij të fundit.

Në mënyrë të veçantë, Antitrust nxjerr në pah dhe detaje e fakte të mirëfillta se si abuzohej me konsumatorin.

Në momentin e dërgimit te një sms nga konsumatorët, kodin përkatës,që i referohej një melodie, ndryshe nga ç’reklamohej nga operatorët në mediat vizive, të shkruara apo në faqe të ndryshme online, konsumatorit nuk i dërgohej nga operatorët melodia e kërkuar por i “faturohej” një abonim një javor të cilin ata jo vetëm që nuk e kishin kërkuar por dhe i shkaktonte rrjedhje krediti të padëshiruar.

Gjithashtu, paqartësia dhe jotransparenca në tarifat e këtyre shërbimeve ka qenë “kryefjala” e Antitrust në motivimin e këtyre sanksioneve, për arsye se shoqëritë e mësipërme me anë të “devijimeve” të ndryshme abuzonin me klientët duke rritur çmimin e shërbimeve, ndryshe nga sa ish reklamuar fillimisht prej tyre.

Një detaj tjetër ishte dhe fakti se për të ç’aktivizuar këto shërbime nga ana e klientëve ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Kjo është hera e tretë brenda pak muajve, që një organ i cili mbron të drejtat e konsumatorit në Itali gjobit operatorë të ndryshëm të telefonisë celulare në vend, gjë e cila vërteton se katërcipërisht që ky institucion shtetëror, ndryshe na ç’ndodh në vendin tonë , nuk “fle”.

d.g/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›