E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobitën shokun, adoleshentët në gjyq tek Krimet e Rënda

TIRANE – Ajo që në fillim të këtij viti u ngjante me një lojë të rinjve, tashmë ka përfunduar në një akuzë gjobë vënie përmes kërcënimesh me jetë, e cila do të gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. 

Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe dorëzoi për shqyrtim, dosjen penale ndaj dy 18-vjeçarëve nga Tirana, Genci Harusha dhe Liridon Frroku, të cilët akuzohen se kanë kërkuar para nga një bashkëmoshatar i tyre përmes kërcënimeve të vazhdueshme me jetë dhe me dhunë fizike. Duke pasur dijeni se i dëmtuari ishte djali i një biznesmeni me banim në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë, dy të akuzuarit kërkonin 100 mijë lekë të reja çdo muaj nga Xhejnis Plasa. Ky i fundit kërcënohej me dhunë fizike dhe me jetë, nëse nuk paguante brenda afatit shumat e parave që i kërkonin në mënyrë taksative bashkëmoshatarët e tij. I ndodhur për disa kohë në këtë gjendje, Xhejnis Plasa ka vendosur që të denoncojë në polici. Sipas hetimeve të Prokurorisë, menjëherë pas kallëzimit të bërë në polici nga i dëmtuari, organet e rendit u vunë në lëvizje dhe më 20 janar 2008, arritën të vënë në pranga dy personat e akuzuar për “shtrëngim me dhunë për dhënie të pasurisë”. Genci Harusha dhe Liridon Frroku u arrestuan nga policia në bazë të përshkrimeve të dhëna nga i dëmtuari, por edhe të përgjimeve telefonike që iu bënë mesazheve kërcënuese apo bisedave të dhunshme, që ata kanë zhvilluar me të dëmtuarin. Menjëherë pas arrestimit, hetimet zbuluan se dy të dyshuarit e kishin kryer krimin në bashkëpunim mes tyre dhe me qëllime përfitimi. Për këtë shkak, dosja penale i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka zbardhur tërësisht me prova dhe dëshmi, ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet. I dëmtuari ka pasur presione dhe kërcënime nga më të ndryshmet nëse shfaqte qoftë edhe kundërshtimin më të vogël për t’u dhënë paratë dy adoleshentëve që e konsideronin veten “të fortët” e zonës. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›