E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Orik Shyti dhe Altin Arapi ekzekutuan kreun e Burgjeve

TIRANE – Sipas aktakuzës në ngarkim të të pandehurve të “Hakmarrjes”, që u dënuan për këtë vepër te Krimet e Rënda, dy autorët e vrasjes së Bujar Kaloshit janë Orik Shyti dhe Altin Arapi. 

Gjithmonë, sipas organit të akuzës, më datën 26 gusht të vitit 1996, rreth orës 07:35 minuta të mëngjesit, Shyti dhe Arapi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me shtetasin Enkelejd Agaj, tashmë i vdekur, kanë vrarë me armë zjarri për shkak të detyrës së tij, shtetasin Bujar Xhevdet Kaloshi, i ditëlindjes 1956, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas prokurorisë, ekzekutimi është bërë në kuadër të organizatës kriminale, ndërsa aktualisht të dy të dënuarit janë jashtë qelive, pasi nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre për shkak se kanë marrë azil politik në Zvicër dhe Bruksel. Kurse çështja për Enkeljed Agajn është pushuar shumë vite më parë, pasi ai është gjetur i vdekur dhe më pas i djegur në malin e Dajtit në janar të vitit 1998. Ndërkohë, dëshmitarët e pyetur nga Prokuroria dhe më pas të thirrur për të deklaruar në gjykatë treguan se, herët në mëngjesin e 26 korrikut 1996, rreth orës 06:00 kishin parë dy persona të cilëve nuk u kishin vënë shumë rëndësi, të bënin vrap përpara shtëpisë së tyre në fushën “Ali Demi”, pas Institutit të Fizkulturës. Më pas ata kishin marrë vesh që ishte vrarë fqinji i tyre Bujar Kaloshi nga dy të rinj, të veshur sportivë, që i ishin afruar duke vrapuar lehtë në momentin që ai po i afrohej makinës. Pasi e kanë qëlluar me pistoletë ata janë larguar me vrap duke u treguar të përpiktë në zhdukjen e gjurmëve dhe fshehjen e fytyrave të tyre poshtë kapelave me strehë që mbanin në kokë. I vetmi detaj që të dy dëshmitarët okularë shpjeguan në gjykatë, ishte se dy të rinjtë, me trup të rregullt sportiv dhe shtatlartë, kishin ardhur në atë lagje me një makinë të tipit “Benz” ngjyrë ulliri. Pas kësaj Prokuroria ngriti si pistë të krimit, atë të vrasjes për shkak të detyrës që mbante në atë kohë Kaloshi.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›