E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, në 2008 më pak të huaj

Këtë vit investimet e huaja direkte do të jenë më të ulëta se ato të një viti më parë. 

Fabiola Çela

 Sipas parashikimeve të kryera nga ekspertët e qeverisë, në projektbuxhetin e këtij viti parashikohet që fluksi i investimeve të huaja direkte të jetë 312.5 milionë euro. E thënë ndryshe, investimet e huaja direkte do të jenë 3.5 për qind e PBB-së. Ky është i pari vit që nga qeverisja e demokratëve që qeveria parashikon uljen e fluksit të investimeve të huaja direkte. Një parashikim i tillë bëhet në një kohë kur drejtuesit e qeverisë ftojnë sipërmarrësit e huaj që të investojnë në Shqipëri. Jo pak herë zyrtarë të lartë të qeverisë kanë deklaruar se, vendi ynë ka një klimë goxha të favorshme për sa i përket investimeve të huaja, sidomos në disa sektorë të veçantë të ekonomisë si turizmi, energjetika etj. Por pavarësisht këtyre deklaratave të zyrtarëve të qeverisë, të dhënat tregojnë një tjetër realitet. Investimet e huaja direkte këtë vit do të jenë më të ulëta se në 2007, ku investimet e huaja direkte arritën shifrën e 452.3 milionë eurove ose 5.7 për qind e PBB-së.
Tregtia
Thellohet hendeku mes importeve edhe eksporteve. Deficiti tregtar vazhdon të rritet nga viti në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të jetë më shumë e orientuar drejt importeve. Për këtë vit deficiti tregtar parashikohet të jetë 2301.1 milionë euro, ose 26 për qind e PBB-së. Krahasuar me një vit më parë deficiti tregtar ka pësuar rritje. Sipas të dhënave zyrtare, në 2007 deficiti tregtar ishte 2135.2 milionë euro. Këtë vit pritet të rritet edhe më shumë sasia e mallrave që importohen në krahasim me produktet që eksportohen. Greqia, Italia, Maqedonia etj., mbeten partnerët kryesorë për sa i përket marrëdhënieve tregtare.

3.5 per qind
e PBB-së janë parashikuar që të jenë investimet e huaja direkte për këtë vit. E thënë në gjuhën e shifrave, këtë vit bizneset e huaja do të investojnë 312.5 milionë euro në Shqipëri.

5.7 per qind
e PBB-së ishin investimet e huaja direkte në 2007. Gjatë këtij viti investimet direkte të bizneseve të huaja arritën vlerën e 452.3 milionë eurove.

3.6 per qind
e PBB-së ishin investimet e huaja direkte në 2006, ose gati 258.6 milionë euro. Ndërsa në 2005, investimet e huaja direkte ishin 3.4për qind e PBB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›