E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria: Librat blejini në gusht, merrni faturë që të rimbursoheni

Këtë vit shitja e librave shkollorë për nxënësit e 9-vjeçares do të nisi që muajin e ardhshëm. 

Duke parë eksperiencën e hidhur të vitit të kaluar, drejtuesit e BOMIT-it kanë vendosur që shitja e librave të nisi që në gusht, me shpresën se nuk do të ketë më radha të pafundme për blerjen e tyre. Lajmin e ka bërë të ditur dje në një deklaratë për mediat, drejtori i Bordit të Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë MASH, Agim Duka. “Pas përfundimit të përzgjedhjes së librave shkollorë dhe realizimit të shtypjes së tyre nga botuesit përkatës, librat shkollorë do të jenë në pikat e shitjes pranë shkollave dhe në librari, që në muajin gusht”, ka thënë ai. Në këtë mënyrë, në të gjitha shkollat do të afishohet njoftimi për pikat e shitjes, lista e librave shkollore dhe botuesit e tyre. “Ne këshillojnë të gjithë prindërit dhe nxënësit të blejnë librat shkollorë duke filluar që nga muaji gusht, për të evituar radhët në pikat e shitjes”, është shprehur Duka. Por edhe pse librat do të blihen nga prindërit, qeveria ka vendosur që t’i kompensojë ata, për shumën e librave që do të blejnë. Por përpara se të marrin kompensimin ata duhet të kenë me vete edhe faturën tatimore të blerjes së librave. “Prindërit dhe nxënësit e arsimit bazë 9-vjeçar duhet të tërheqin pas blerjes së librave, faturën tatimore që të mund të marrin kompensimin për librat që do të blejnë”, ka shtuar Duka. Sipas tij, një nga efektet pozitive të reformës së Altertekstit ka qenë shtimi i numrit të librarive në të gjithë vendin, madje edhe në zona ku nuk ka pasur deri më sot, të cilat do të ofrojnë këtë shërbim të librit edhe pas sezonit të shitjes së librave shkollorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›