Topi dekoron drejtorin e vrarë të Burgjeve
Dekorohet Bujar Kaloshi, ish-kreu i burgjeve i vrarë në krye të detyrës.
Fatos Mahmutaj
Zyra e shtypit të Presidentit të Republikës pohoi dje se, gjatë paradites së sotme pritet të zhvillohet në mjediset e Presidencës ceremonia për dekorimin e drejtorit të burgjeve, i vrarë plot 12 vjet më parë, teksa po dilte nga banesa për të shkuar në punë e më pas në inaugurimin e një kishe në fshatin, ku kishte jetuar në internim. Vrasja e tij për 12 vjet me radhë mbeti pa autor, pasi Gjykata e Tiranës e kishte pushuar çështjen në ngarkim të të pandehurve të “Hakmarrjes”, ndërsa pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda, gjeti fajtorë dhe dënoi për këtë vepër të pandehurit e “Hakmarrjes”. Motivi i krimit sipas gjykatës ishte detyra që mbante Kaloshi, ajo e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Proceset
Akuza e vrasjes së kreut të burgjeve në vitin 1996, iu ngarkua fillimisht Artan Bashës, një të riu kryeqytetas, banor i rrugës së Kavajës, i cili mbante pseudonimin “Oqja”. Pas vrasjes së Kaloshit policia e akuzoi Bashën se, kishte vepruar në bashkëpunim me Orik Shytin, por hapja e burgjeve në rrëmujat e marsit 1997, i dha lirinë, ndërsa deri në vrasjen më 13 maj 1998 nuk u ngrit më akuzë ndaj tij. Pas kësaj akuza i mbeti “Hakmarrjes” dhe ishte një nga 24 veprat penale të ndodhura nga viti 1992 deri më 1996, që rënduan mbi 10 të pandehurit e kësaj çështjeje. Në vitin 2003, Gjykata e Tiranës pasi e gjykoi për pesë vjet dosjen “Hakmarrja” vendosi pushimin e gjykimit për të pandehurit, duke mos përcaktuar asnjë autor të vrasjes së Kaloshit. Ndërsa rikthimi i çështjes për hetim nga Krimet e Rënda u bë shkak që të mblidheshin dhe analizoheshin sërish provat, duke përfshirë këtu edhe rimarrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Vrasja
Mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1996, Bujar Kaloshi ishte zgjuar më herët se zakonisht dhe po dilte nga banesa për të kaluar pak minuta në zyrën e tij dhe më pas të shkonte në inaugurimin e kishës së Shën e Premtes në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ku familja e tij jetoi në internim, që nga koha e çlirimit deri në vitin 1900. Banesa e familjes Kaloshi ndodhet pranë fushës së aviacionit në Laprake, pas Institutit të Fizkulturës, ndërsa në rrugicën para banesës, studentët e institutit si dhe mjaft të rinj kryeqytetas vrapojnë dhe bëjnë gjimnastikën e mëngjesit. Pikërisht, të maskuar si të tillë dy ekzekutorët e Kaloshit, të veshur me pantallona të shkurtra, bluzë me mëngë të shkurtra dhe kapela në kokë vraponin nëpër rrugicë, që nga ora 06:00 e mëngjesit. Duke i parë me indiferencë Kaloshi vazhdoi të ecte drejt makinës, por ata nxorën pistoletat që kishin fshehur poshtë bluzave dhe e qëlluan. Pas kësaj atentatorët, duke vazhduar vrapin e lehtë u larguan me një mjet tip “Benz” në të cilin po i priste një i tretë.