E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e makinave dalin nga qarkullimi

Gati gjysma e automjeteve, që janë të regjistruara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), do të dalin nga qarkullimi. 

Sipas të dhënave zyrtare, gati 45 për qind e makinave që figurojnë në arkivin e kësaj drejtorie, nuk kanë paguar taksën e qarkullimit vjetor dhe të regjistrimit të përvitshëm të automjeteve. Ajo çka bie në sy është fakti se pjesa më e madhe e këtyre automjeteve janë të targetuara para vitit ’99. Mospagesa e taksave ka ndodhur për disa arsye. Së pari, taksën e qarkullimit vjetor e paguajnë vetëm mjetet rrugore që qarkullojnë, pra ato mjete që paraqiten për kontroll teknik vjetor në DPSHTRR. Por të dhënat tregojnë se diferenca e inventarit të mjeteve rrugore që qarkullojnë, me ato që janë të regjistruara është i konsiderueshëm dhe vjen si rezultat i mosçregjistrimit të tyre nga arkivat e DPSHTRR-së. Mjetet, të cilat janë targetuar para vitit ‘99 përbëjnë përqindjen më të madhe të atyre që nuk kanë paguar taksat. Përballë një situate tillë qeveria ka vendosur që të falë detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor, të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të tyre. Një vendim i tillë pritet që të ngjallë interesin e pronarëve të këtyre automjeteve, që të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që të bëjnë çregjistrimin e mjetit të tyre, nëse e kanë jashtë qarkullimit apo të paguajnë taksat për vitet 2006, 2007, 2008 për mjetet që janë në gjendje pune dhe qarkullojnë. Konkretisht, për mjetet të cilat në vite nuk janë paguar taksat, me miratimin e këtij projektligji bëhet sistemi i arshivës së regjistrimit të tyre pranë DPSHTRR-së, nga mjetet që janë jashtë përdorimit në vite. Ndërsa për mjetet që janë në gjendje pune, por që nuk janë paguar taksat, projektligji i ri u fal detyrimet e prapambetura. Përveç faljes së detyrimeve, qeveria ka vendosur që të heqë nga qarkullimi targat e dhëna para vitit 1999.

45 per qind
e mjeteve që janë të regjistruar në arshivën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nuk kanë paguar taksat.

160 mije
automjete rezultojnë të jenë targetuar para vitit 1999. Pikërisht kjo kategori automjetesh nuk ka paguar taksën e qarkullimit vjetor dhe regjistrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›