Gjobitet Aragones
02/03/2005 Trajneri i përfaqësueses spanjolle, Luis Aragones, është dënuar duke u gjobitur me vlerën e 3.000 eurove, si pasojë e polemikave me ngjyra raciste që ka shprehur kundrejt sulmuesit francez, Tieri Henri. Lajmin e ka bërë të ditur një stacion radiofonik spanjoll, ditën e djeshme. Megjithatë, duket se askush nga zyrtarët e Federatës Spanjolle të Futbollit, të cilët kanë hapur edhe një proces hetimor, lidhur me sjelljen e trajnerit, nuk ka arritur të japë konfirmimin për këtë lajm. Nga ana tjetër, sipas të përditshmes “El Pais”, ka qenë vetë gjykatësi, i cili është përgjegjës për kryerjen e këtij procesi hetimor, që ka rekomanduar të vihet një gjobë me vlerë 3.000 euro, në dëm të Aragones. Gjithë strumbullari i kësaj historie e ka patur zanafillën, gjatë një seance stërvitore të zhvilluar në tetorin e kaluar, me përfaqësuesen spanjolle. Kështu, Aragones e kishte vlerësuar më shumë Hoze Antonio Rejes, në krahasim me Tieri Henri, ku francezin e mbiquajti me nofkën “si një zezak i qelbur”. Më pas, trajneri 66- vjeçar kishte kërkuar falje, duke thënë se nuk kishte aspak ndërmend që të ofendonte askënd. Ndërsa, në takimin miqësor me Anglinë, në nëntorin e kaluar, si për çudi, kishte dalë në mbrojtje të komenteve që kishte bërë.