E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumentet heqin plehrat nga lagjja Kala

BERAT – Në prag të sezonit turistik, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Berat ka hartuar një plan masash për pastrimin e të gjithë perimetrit të mureve rrethuese të Kalasë nga mbetjet inerte dhe bimët, që kanë qenë të akumuluara aty prej vitesh. Ky aksion për pastrimin e tyre, i nisur 2 ditë më parë, do të vazhdojë deri në pastrimin e plotë të Kalasë e më pas do të zhvendoset në lagjet muzeale Mangalem e Goricë. Drejtori i DRMK-së Berat, Lonik Çuedari, është shprehur për gazetën se fadromat janë duke hequr çdo ditë rreth 100 metra kub materiale dhe inerte të ndryshme, të cilat po dërgohen në pikat e grumbullimit. Sipas Çuedarit, Bashkia duhet të marrë masa të menjëhershme për të vendosur kontejnerë në lagjen Kala, pasi ndotja ka ardhur për shkak të mungesës së pikave të caktuara për hedhjen e mbeturinave nga banorët e kësaj lagjeje. Ai shton se, vetë banorët, pas shumë restaurimeve që kanë bërë, mbetjet i kanë hedhur në muret e Kalasë. Kjo ka vështirësuar shumë gjendjen, pasi grumbuj të inerteve bien në sy tek turistët. Nisur nga kjo gjendje, ne si Drejtori kërkojmë ndihmën e firmës që po kryen punime në restaurimin e Kalasë për të pastruar dhe plehrat inerte që ndodhen pas mureve të Kalasë, shprehet Çuedari. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›