Raboshta: Luftëtari e ka një zgjidhje edhe për Gramshin
Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, thekson se ekipi i tij i ka të gjitha kapacitetet për ta kapërcyer edhe transfertën e radhës
Duke bërë llogaritë në total, kampionat dhe kupë, Luftëtari në Gjirokastër ka realizuar vetëm fitore, gjithsej 8, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e tij mbi 80-vjeçare. Me formacionin e dytë ky ekip injoroi në kupë Skënderbeun, që erdhi në Gjirokastër me të rinjtë dhe tre të rritur, por kjo harrohet shpejt dhe mbetet Luftëtari-Skënderbeu 4-1. Duhet theksuar fakti se nga 14 futbollistët e aktivizuar, vetëm njeri nuk ishte gjirokastrit: Kermezo.
Kështu, ekipi gjirokastrit bëhet pretendent edhe për kalimin e grupit në kupë, edhe pse drejtuesit e tij theksojnë se janë përqendruar në kampionat, në kërkim të superligës. Jasmin Raboshta është golashënuesi i dytë i këtij ekipi, me 3 gola, pas Norës me 7. Ai shënoi pas dygolëshave të Norës dhe Çaços në fitoren 5-1me Ilirinë. Luftëtari luan nesër në fushën e Gramshit, nga i cili është plot 11 pikë para.
Në qarqet futbollistike të Gjirokastrës flitet për një fushë futbolli jashtë parametrave dhe për tifozëri jashtë serisë, faktorë që do tia vështirësojnë punën e ekipit kryesues në rrugën drejt superiores. Por ka mundësi që këto që thuhen të jenë edhe thashetheme.
Luftëtari, me forca të shumta në dispozicion, me disa lojtarë me përvojë për të kapërcyer terrene dhe tifozë të natyrave të ndryshme, parashikohet që edhe nga Gramshi të mos kthehet kokëvarur, gjë që në transfertat e deritanishme e ka bërë vetëm teksa kthehej nga Lezha. Sido që të ndodhë, këtë herë vendin e parë nuk e humbet, sepse është 5 pikë pikërisht para ekipit lezhjan.
Raboshta Sulmuesi shkodran, Raboshta, për këtë ndeshje, thotë:
E kemi të qartë se në Gramsh nuk do të na presin me lule. Do të kemi të bëjmë me një kundërshtar mjaft të vështirë, por jo të pathyeshëm, siç tregojnë rezultate e tij edhe brenda fushës. Nuk është mburrje të themi se Luftëtari ka përbërje më të mirë dhe si rezultat edhe ekip më të fortë se të Gramshit, por dihet që jo gjithmonë fiton më i forti. Ekipi ynë është i vendosur që të luftojë me mish e me shpirt për të arritur rezultatin që i takon.
Do të na duhet të mbrohemi me kujdes, të tregohemi gjakftohtë, të gabojmë sa më pak në realizimin e detyrave që do të na jepen dhe të sulmojmë me fantazinë dhe agresivitetin që na karakterizon. Nuk do të jetë aspak surprizë fitorja jonë, që është plotësisht e mundshme, nëse do të luhet vetëm futboll dhe shpresoj se kështu do të ndodhë.
Dëshirën e kam të madhe të shënoj, por kuptohet që rëndësi më të madhe ka që të arrijmë atë që duam, pavarësisht se kush do të realizojë. Mund të them se tani, pasi dola te goli ndeshjen e fundit, jam më i lirshëm dhe mund të shënoj sërish.
