E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Arsyet e përplasjes mes Presidentit dhe Topallit

"Çështja e bllokimit të dekreteve të Presidentit përbën frikën e Berishës dhe Topallit nga drejtësia dhe rënia nga pushteti". Kështu është shprehur avokati dhe deputeti i Kuvendit, Spartak Ngjela, i cili në një intervistë për "Shqip" ka treguar thembrën e Akilit për vonesën e dekretimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, të cilën ai e lidh me "Gërdecin". Ngjela pranon se si pasojë e kësaj ka ardhur edhe përplasja Topi-Berisha, ndërsa Topallin e cilëson si lolon e Kryeministrit.

"Që nga ngjarja e Gërdecit, Berisha ka një disekuilibrim mendor tërësor, nuk ka më asnjë lloj aftësie për të frenuar patologjinë e tij dhe prandaj është bërë agresiv në një krah dhe i paqartë në krahun tjetër, ndërsa Kryetarja e Kuvendit është e detyruar të shkelë çdo normë dhe jo vetëm kaq, por që edhe të dalë si një papagall", tha Ngjela. Gjatë intervistës së tij, Ngjela ka theksuar se Presidenti Topi nuk është nga ata individë që mund ta viktimizosh më presione patologjike. "Të mendosh se do tërhiqen dekretet e tij nga vetë ai, është njëlloj sikur të presësh që ai të japë dorëheqjen", shprehet Ngjela, duke e cilësuar Topin si shumë herë më të fortë se Kryeministrin Berisha. Ngjela ka theksuar se "Mediu i ka bërë presion se nuk do të rrijë vetëm dhe do të flasë. Në fakt, tani Mediu rrezikon njëzet vjet burg, sepse ka katër krime si akuzë për një pasojë që ka sjellë vdekjen e njëzetetetë personave. Por Mediu mund të jetë edhe rrëfyes". Ndërsa për përplasjen mes dy femrave të dy institucioneve të pushtetshme, Ngjela shprehet se "lufta që i ka hapur Prokurores Ina Rama është qesharake, sepse ajo është profesioniste, kurse Topalli një individ më se i zakonshëm dhe i paditur"

Avokat Ngjela, ka afër një muaj që Presidenti Topi i ka dërguar Kuvendit pesë dekrete për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por këto dekrete, ende nuk kanë hyrë për t‘u votuar në Kuvendin e Shqipërisë. Si e komentoni ju vonesën e dekreteve të Presidentit Topi për t‘u votuar nga ana e Kuvendit?

Është e vërtetë. Presidenti i Republikës ka dërguar në një mënyrë normale në Kuvend pesë dekrete, për të emëruar pesë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Por të pesë dekretet po pengohen arbitrarisht nga ana e Kryetares së Kuvendit, edhe kundër frymës së Kushtetutës, edhe kundër ligjit. Në të vërtetë, pa dyshim, është presioni i Kryeministrit Berisha ai që e detyron Topallin të shkelë çdo normë dhe jo vetëm kaq, por që edhe të dalë si një papagall e të shpjegojë nonsense, të flasë në një mënyrë që kurrë nuk mund t‘i ketë hije një spikeri të një Parlamenti evropian dhe, po ashtu, të bëhet qesharake me lloj-lloj "argumentesh", për të cilat nuk ka asnjë lloj kompetence që t‘i sqarojë përpara opinionit publik.

Çfarë e pengon Kryeministrin Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit të mos aprovojë dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë?

Duhet të jemi të qartë për një gjë: Sali Berisha ndërkohë është jashtë sensit normal të të gjykuarit. Që nga ngjarja e Gërdecit ai ka një disekuilibrim mendor tërësor, nuk ka më asnjë lloj aftësie për të frenuar patologjinë e tij, dhe prandaj është bërë agresiv në një krah; dhe i paqartë në krahun tjetër. Në të vërtetë, paqartësia dhe disekuilibri mendor, kanë qenë ngaherë shoqëruese të psikikës së tij, por tani, pas Gërdecit, kjo shkallë disekuilibri i është shtuar shumë. Ai duket i trembur, sepse e ndien se në qendër të krimit të Gërdecit është ai vetë, madje me gjithë familjen e tij. Ai gënjeu, sepse ka qenë gjithmonë i paqartë. Berisha mendoi se mund të tallej me të vdekurit dhe me opinionin publik kur thoshte se: "As që e kam ditur se ku binte Gërdeci", se "kurrë nuk e kam njohur kunatin e vrarë, i cili kishte shkuar në fabrikë për bukën e gojës", se "përgjegjësia është e një firme amerikane". E të tjera si këto. Ai fabrikoi një mori gjërash të paqena, u diskreditua në BBC, duke menduar gabimisht i shtyrë nga sëmundja, se kjo do të mjaftonte për ta kaluar radhën. Por, ndonëse për këtë e ndihmoi edhe opozita, ose pseudo opozita aktuale, ai kuptohet se nuk mund t‘ia hedhë dot. Sepse, kur është fjala për alibi, koha është e pamëshirshme kur ke gënjyer. Dhe kjo tani po e tremb. Sepse nuk ishte i aftë që të llogariste kohën atëherë kur gënjente. Koha po e torturon dhe e vetmja shpresë që i ka mbetur është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes. Në fillim Berisha mendoi se me kokën e Mediut do të shpëtonte dhe po ta shihni me kujdes, kështu i tha edhe BBC-së, se përgjegjës ishte ministri i Mbrojtjes, sepse ai kishte firmosur. Por, siç duket, Mediu i ka bërë presion se nuk do të rrijë vetëm dhe do të flasë. Në fakt, tani Mediu rrezikon njëzet vjet burg, sepse ka katër krime si akuzë për një pasojë që ka sjellë vdekjen e njëzetetetë personave. Por Mediu mund të jetë edhe rrëfyes. Prandaj, Berisha, brenda çrregullimit të tij mendor, ka kthyer rrjedhë. Ai tani mendon se mund të shpëtojë, jo duke e sakrifikuar Fatmir Mediun, por duke e shpëtuar atë. Por si do ta shpëtojë? Sigurisht, duke mos i hequr imunitetin. Por, ka rënë brenda, se tani çështja e imunitetit të deputetit, nga një mjet kërcënimi që e përdori për gati tre vjet, i ra në kokë. Kjo është paaftësia e tij tipike, sepse kështu i ka ndodhur gjithmonë: të gjitha nismat që ka ndërmarrë kundër të tjerëve i kanë rënë mbi kokën e tij. Berisha është qesharak dhe tragjik njëherësh, sigurisht sepse nuk është normal. Prandaj, në lidhje me pyetjen tuaj, mund të them se, brenda kësaj tabloje analitike, Berisha mendon se Mediun mund ta shpëtojë edhe me anë të Gjykatës së Lartë. Gjyqi kundër një deputeti zhvillohet me një shkallë dhe gjithmonë në Gjykatën e Lartë. Por deri tani Berisha nuk ka akses dominues në këtë Gjykatë, në një kohë që në Gjykatën e Lartë priten shtatë emërime të reja. Prandaj mendon se, duke i emëruar ai të shtatë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, mund të fitojë pafajësinë e Fatmir Mediut. Ja kjo është e gjitha. Kjo është thembra e Akilit për këtë episod kaq antikushtetues. Ky është edhe thelbi i konfliktit Berisha-Topi, kurse Topalli ka marrë rolin e një loloje, prandaj kot sa të zgjatemi me të. Domethënë, për të qenë më të qartë, në çështjen e Gërdecit kemi dy aspekte që kanë lidhje me Kuvendin: ose të ndalohet heqja e imunitetit të Mediut, ose të eliminohen të pesë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë.

Avokat Ngjela, në gjykimin tuaj çfarë pasojash do të sjellë përplasja institucionale Presidencë-Qeveri-Kuvend. Konflikti i hapur mes Topit dhe Topallit, ndërhyrja e Berishës pro Kryetares së Kuvendit a do të përsërisë krizën institucionale që pushtoi vendin gjatë kohës kur Presidencën e drejtonte Alfred Moisiu?

Sigurisht që do të jetë një konflikt i ashpër, sepse ka të bëjë me të ardhmen e vetë Berishës. Për të gjitha ato që thashë më lart, Berisha është përgjegjës për Gërdecin. Shiheni me vëmendje, kur ngjarja ishte e nxehtë, ai thoshte "do t‘i bindemi drejtësisë", kurse tani thotë së drejtësia është arbitrare. Turp. E megjithatë, tani jemi m‘u në zgrip të një situate të re: Gërdeci nuk ka mundësi të mbyllet, vetëm një i sëmurë si Sali Berisha mendon se mund ta mbyllë atë me gënjeshtra e me tensione institucionale. Por, ka një rrugë ku Gërdeci mund të mbyllet: diktatura. A ka mundësi Berisha të vendosë diktaturën në Shqipëri? Them se e ka të pamundur, por ai po vijon me kokëfortësi që ta bëjë një gjë të tillë. Është i trembur e i pashpresë, prandaj mendon se mund t‘ia dalë. Prandaj ajo përplasje institucionale që ju përmendni në pyetjen tuaj, është kërkesa agresive e Berishës për të vendosur diktaturën në Shqipëri. Ai pati edhe një përplasje me Presidentin Moisiu, por edhe ajo e kësaj natyre ishte, sepse Berisha edhe atëherë po tentonte që të shtinte në dorë të gjitha institucionet e pavarura. Por Alfred Moisiu e frenoi, madje e bllokoi. Megjithatë, në atë kohë, Berisha vetëm sa kishte një oreks për diktaturë, kurse tani e ka nevojë për të shpëtuar kokën, prandaj që, konflikti me Bamir Topin President, do të jetë edhe më i ashpër sesa konflikti me Presidentin Moisiu.

Kryeministri Berisha ka kërkuar që të bëhen negociatat mes Astrit Patozit dhe Bamir Topit. A duhet të tërhiqet kreu i shtetit nga dekretet e firmosura prej tij për Gjykatën e Lartë dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajë ai?

Konflikti Berisha-Topi vjen për arsyet që unë parashtrova më lart. Nuk ka një konflikt individësh, por Sali Berisha, për t‘iu shmangur përgjegjësisë ligjore për ngjarjen e Gërdecit, kërkon të kapë e të sundojë të gjithë republikën. A do t‘ia lejojë Presidenti Topi këtë? Unë mendoj se kjo është një pamundësi, Bamir Topi nuk mund të marrë përsipër krimin e Sali Berishës, sepse e di që historia nuk të fal. Dhe jo vetëm kaq: Presidenti Topi nuk është nga ata individë që mund ta viktimizosh me presione patologjike. Dhe kjo është e qartë, prandaj të mendosh se do tërhiqen dekretet e tij nga vetë ai, është njëlloj sikur të presësh që ai të japë dorëheqjen. E para, duhet theksuar se dekretet e Presidentit të Republikës, pasi firmosen, nuk mund të tërhiqen më. Ato duhet të votohen në Kuvend dhe, e dyta, është qesharake të mendosh se Kryeministri caktokërka një negociator për të arsyetuar dekretet me Presidentin e Republikës. Ky njeri e di shtetin ende një domen individual dhe jo një mekanizëm institucional. Kjo është çmenduri, por unë ua kam shpjeguar edhe më lart: Berisha s‘ka më asnjë grimë ekuilibri mendor. Dhe pyetja që ngrihet në këtë rast është kjo: pse nuk po lejohen të hyjnë në Kuvend dekretet e Presidentit? Sepse Berisha nuk i rrëzon dot dhe për pasojë u tregon të gjithë shqiptarëve se nuk e ka më mazhorancën. Topi sot është shumë herë më i fortë se Kryeministri Berisha, prandaj ky Kryeministër, me shëmtimin e tij që krijoi, për mua ka falimentuar.

Kryetarja e Kuvendit i ka shpallur luftë të hapur edhe numrit një të prokurorisë, Ina Ramës për hetimet e Gërdecit. Topalli ka kërkuar dokumente shtesë nga prokuroria, ndërkohë që ambasadori amerikan në Tiranë kërkoi që të ndalojë presioni ndaj prokurorisë. Në të vërtetë, është vetëm "Gërdeci" ajo që e tremb Berishën dhe Topallin, apo është diçka tjetër më e thellë se ajo që ndodhi më 15 mars 2008?

E theksova edhe më lart: Kryetarja e Kuvendit është në hall. Saliu po i bie nga pushteti dhe vetë nuk di se ku është. Duket herë-herë sikur kërkon të marrë një nismë individuale për ta rrëzuar ajo Saliun, por menjëherë tërhiqet. Ka ndërkohë një opinion shumë negativ në opinionin publik shqiptar, dhe e gjithë kjo i ka ardhur nga fryma e ligë që i ka imponuar Sali Berisha. Edhe vetë Topalli ka qenë e prirur përkundrejt kësaj frymë, prandaj ndërkohë janë që të dy krejt të papranueshëm nga shqiptarët. Në funksion të kësaj, lufta që i ka hapur Prokurores Ina Rama është qesharake, sepse ajo është profesioniste, kurse Topalli një individ më se i zakonshëm dhe i paditur. Të gjitha këto e bëjnë vijimisht kontradiktore në një krah dhe qesharake në krahun tjetër. Topalli po rreket që të ndalojë heqjen e imunitetit të Mediut, sepse kështu ia kërkon Berisha, por e ka krejt të pamundur. Deri dje ishin entuziastë për Prokuroren e Përgjithshme edhe Saliu, edhe Jozefina, kurse tani janë ngritur kundër saj: edhe Berisha edhe Topalli. Por janë anormalë, sepse nuk arrijnë të kuptojnë se ç‘është një Prokuror i Përgjithshëm dhe çfarë përfaqëson institucioni i tij që e ka detyrë kushtetuese të ngrejë akuzën në emër të shtetit, në një krim ku kanë vdekur rreth tridhjetë persona. Si ka mundësi që nuk arrijnë të kuptojnë këta të dy se askush sot nuk mund të diskreditohet historikisht për të mbyllur një krim si Gërdeci? Po, mirë Sali Berisha që është në hall se është autori, por Jozefina Topalli pse po rend me kaq vrull për t‘u inkriminuar, sepse nuk rezulton të ketë marrë ndonjë kacidhe nga biznesi i pistë i fabrikës së Gërdecit? Në fund të fundit, ky është rregulli i përgjithshëm i situatave të tilla në politikë, është e pamundur t‘i shpëtosh humnerës, kur nuk je i aftë ta ngasësh këtë lloj makine. Kurse ju përmendni edhe ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë. Sigurisht që është e fortë. Në fund të fundit, aleatët tanë nuk mund të jenë kundër popullit shqiptar. Kështu si po rrokullisen ngjarjet, gjithçka duket sheshit se, ca individë, me të njëjtin konstitucion me Berishën, po mundohen të eliminojnë demokracinë në Shqipëri, për të shpëtuar Berishën nga përgjegjësia, prandaj një ambasador që i do shqiptarët dhe dëshiron perspektivën demokratike të shqiptarëve, pa dyshim që duhet të flasë. Po Topalli, do të vijojë të jetë intrasigjente? Nuk di ç‘të them. E ka të vështirë të kthehet mbrapa; por të shkelësh Kushtetutën, nuk është gjë e lehtë ama, sepse Shqipëria sot fatmirësisht është në NATO.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›