E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria diskuton pozicionin e Gaxhait për hapjen e tunelit te 302-i

05/03/2005  Prokuroria e Tiranës pritet që të diskutojë dhe të vendosë së shpejti lidhur me pozicionin e Gazmend Brakës në gërmimin e galerisë, që u gjet në oborrin e Burgut 302 në Tiranë, më datë 4 shkurt. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë organit të akuzës, të cilat thanë se pas arrestimit të Ilirjan Brakës, kushëririt të parë të Gaxhait, janë ngritur dyshimet për implikimin e këtij të fundit në këtë ngjarje. Madje, kjo është konkluduar edhe zyrtarisht, pasi u vërtetua se i dënuari që tentoi arratisjen nëpërmjet galerisë, ishte Gazmend Braka. Por një dënim ndaj tij me burgim të përjetshëm dhe një porces tjetër në gjykim, nuk kanë lindur nevojën e marrjes së masave ligjore në mënyrë urgjente për këtë rast, shprehen burimet e Prokurorisë. Ato shtojnë se, ndonëse vetë Gaxhai nuk ka punuar në këtë tunel, dyshohet që ai ta ketë organizuar hapjen e tij. Gjithashtu, mendohet që ai të ketë dhënë orientime për koordinatat e hapjes së galerisë, e cila, ndonëse zgjaste afro 20 metra nën dhe, arriti në oborrin e burgut me përpikmërinë më të madhe, sikur të kishte punuar aty ndonjë ekspert minierash. Burimet sqarojnë se këto ditë do të diskutohet nëse ndaj Gaxhait do të ngrihet apo jo ndonjë akuzë si bashkëpunëtor i Ilir Brakës, bashkëshortes së tij, Silvana Braka dhe vëllait të këtij të fundit, që rezultuan të ishin qiramarrësit e dyqanit të luleve, duke përdorur identitete të rreme. Motër e vëlla dyshohen të jenë arratisur në Greqi dhe janë shpallur në kërkim nga Interpoli. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›