E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të gjitha procedurat dhe kërkesat që duhet të plotësohen për të marrë pronën, sipas ligjit

05/03/2005  Agim Toro, në një intervistë për "Metropol", thotë se KSHKKP-ja do t'i kërkojë zyrtarisht Kuvendit shtyrjen e afateve për zbatimin e ligjit

1-Dokumenti që vërteton pronësinë të jetë i para 29 nëntor 1944.

2-Vërtetimi të jetë i shoqëruar me një hartë kadastrale apo urbane, e cila përcakton kufijtë e kësaj prone, e shprehur në sipërfaqe, por edhe në kufij gjeografik të kësaj prone.

3-Akti i trashëgimisë, sepse normalisht pronarët shumë rallë mund të jenë gjallë dhe në shumicën e rasteve pronën e përfitojnë trashëgimtarët e tyre.

4-Një prokurë e përgjithshme që do të përcaktojë se cili nga trashëgimtarët do të ketë të drejtën për të hapur dosjen.

5-Vërtetime nga zyra e kadastrës dhe Ndërmarrja e Pyjeve dhe Kullotave duhet të konfirmojë hartën që gjendja kadastrale e tokës sot është urbane, pyll, kullotë, apo tokë bujqësore, sepse në ligj për tokën bujqësore ka disa kufizime.

6-Vërtetime që kjo tokë është e lirë, apo e zënë në kuptimin që, nëse është e zënë nga objekte me interes publik, apo janë objekte të ndërtuara pa interes publik për kohën e ndërtimit të tyre, në mënyrë që të kalojë në një vendimmarje, që çdo gjë që është e lirë dhe i takon pronarit për t'u kthyer, të kthehet fizikisht.

Agim Toro, anëtar i Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zbardh për "Metropol" dokumentet që duhet të plotësojnë qytetarët për të kërkuar të drejtën e pronës. Ndërkohë që Toro ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë duhet të përshpejtojë punën për miratimin e "Metodikës" për të filluar nga puna komisionet vendorë të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Zoti Toro, kur do të fillojnë nga puna komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave?

Një nga detyrat imediate, që po kalon Komiteti i Kthimit të Pronave, është miratimi i gjithë procedurave dhe rregullores së punës të Komisioneve Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pjesë e kësaj regulloreje janë dhe disa anekse, që kanë të shprehura qartë dhe saktë të gjithë domumentacionin që duhet të paraqitet në Komisionet Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga subjeket e shpronësuara, vlefshmëria e këtyre dokumentacioneve, institucionet bazë me të cilat do të merren këto dokumentacione, në mënyrë që të thjeshtohet dhe të unifikohet e gjithë praktika për qytetarët dhe jo si deri më sot, që ka pasur praktika të ndryshme në vende të ndryshme të territorit të vendit. Nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është kaluar nen për nen e gjithë rregullorja dhe është përfunduar së diskutuari nga të gjithë anëtarët, dhe besoj se do t'i jepet dhe miratimi përfundimtar, në mënyrë që të evidentohet dhe të vihet sa më shpejt në punë komisionet vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Një subjekt i shpronësuar, çfarë procedurash duhet të ndjekë për të kërkuar të drejtën që i jep ligji mbi pronën?

Tani e gjithë procedura, që kërkon dokumentacionin, është e përcaktuar në një formulë, e cila do të botohet dhe do të jetë publike për të gjithë. Qytetari, që kërkon t'i kthehet prona, në momentin që paraqitet në komisionin vendor, duhet të marrë listën e dokumenteve, të plotësojë formularin dhe të përmbushë të gjitha pikat që kërkon dosja. Në këtë dosje janë të përcaktuara mënyra e administrimit si do të vendosen numrat e protokolleve, cilat regjistra do të plotësohen, dhe kjo është një punë shumë voluminoze. Por, në krahasim me të shkuarën, ndihma që do t'u jepet subjekteve të shpronësuar është që institucionet shtetërore, që kanë në administrim pronën, ose pronësinë mbi një pronë të caktuar, janë të detyruar që të japin informacionin brenda një kohë sa më të shkurtër. Siç është rasti i zyrës së regjistrimit të pasurive, që brenda pesë ditëve duhet t'i përgjigjet subjektit të shpronësuar. Bashkitë, komunat, ministritë, të gjitha institucionet e tjera, duhet të zbatojnë afatet që parashikon ligji për të drejtën e informimit dhe dhënies së dokumentacioneve.

Çfarë dokumentesh duhet të sjellin subjeket e shpronësuar pranë komisioneve vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?

Dokumenti kryesor që duhet të sillet është dokumenti që vërteton pronësinë. Ky dokument duhet të jetë një dokument që vërteton pronësinë para vitit 29 nëntor 1944. Vërtetimi të jetë i plotë dhe i shoqëruar me një hartë kadastrale, apo urbane, e cila përcakton kufijtë e kësaj prone e shprehur në sipërfaqe, por edhe në kufij gjeografik të kësaj prone. Akti i trashëgimisë është i domosdoshëm, sepse normalisht pronarët shumë rrallë mund të jenë gjallë dhe në shumicën e rasteve pronën e përfitojnë trashëgimtarët e tyre. Një prokurë e përgjithshme, që do të përcaktojë se cili nga trashëgimtarët do të ketë të drejtën për të hapur këtë dosje. Njëkohësisht do të meren nga pronarët disa vërtetime nga zyra e kadastrës. Gjithashtu, zyrat e Ndërmarrjes së Pyjeve dhe Kullotave duhet të konfirmojnë hartën mbi gjendjen kadastrale të tokës në ditët e sotme. Pra, nëse kjo tokë sot është urbane, pyll, kullotë, apo tokë bujqësore, sepse në ligj për tokën bujqësore ka disa kufizime. Pastaj do të merren disa vërtetime, që kjo tokë është e lirë apo e zënë në kuptimin, që, nëse është e zënë nga objekte me interes publik, apo janë objekte të ndërtuara pa interes publik. Kohën e ndërtimit të tyre, në mënyrë që të kalojë në një vendimmarrje, që çdo gjë që është e lirë, dhe i takon pronarit për t'u kthyer, të kthehet fizikisht. Qëllimi i gjithë punës sonë është që të zgjidhim sa më parë kthimin fizik të pronës. Pastaj për pjesën që do të kompensohet kjo procedurë është e kushtëzuar me miratimin e rregullores nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila realisht është një pengesë për punën e komisioneve. Mendohet që të kalohet në një fazë të dytë që, pasi të miratohet rregullorja, të kualifikohen dhe komisionet tona për zbatimin e kësaj rregulloreje, në mënyrë që të fillojë dhe aplikimi i pjesë së procedurave, që do të ndiqen për pronarët, të cilët do të bëjnë kërkesën për mënyrën e kompensimit, është vendimi i komisionit të kthimit të pronave se si do t'i kompensojë këta pronarë dhe më pas kjo kërkesë ka të drejtë të ankimohet në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Sa janë zbatuar afatet nga komisioni juaj dhe Kuvendi për të vënë në funksionim ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave?

Rregullorja tashmë, nga ana jonë, është e miratuar. Ka ngelur vetëm procedura teknike e zbardhjes dhe shtypjes, për të cilën do të kemi dhe ndihmën e OSBE-së, duke bërë shumë kopje, në mënyrë që të bëhet një njohje nga të gjithë procedurat që duhet të ndiqen, ndërkohë që brenda javës së ardhshme të jetë aktive puna në komisione. Rregullorja përcakton procedurat që duhet të ndjekin komisionet vendore për të zbatuar ligjin. Marrëdhëniet e punës mes anëtarëve kryetarëve dhe specialistëve për të gjetur gjuhën e përbashkët për të dhënë vendimin sa më të drejtë në zbatim të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Rregullorja ka vetëm karakter teknik dhe është në funksion të ligjit. Ndërkohë që pjesa e kompensimit të pronave do të fillojë pas miratimit të "Metodikës" nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që vonesa që po krijon Kuvendi, në miratimin e kësaj "Metodike", ndikon negativisht aktivitetin e punës së Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërkohë që kemi përgatitur materialet për t'ia çuar deputetëve që të bëjnë amendamente në ligj për të shtyrë afatet. Praktikisht janë të paarritshme në kushet që jemi sot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›