E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Policia e Shtetit përdoret për qëllime politike antikushtetuese

Anëtari i Asamblesë Kombëtare në PS, Ilir Gjoni deklaroi se Policia e Shtetit po përdoret për qëllime aspak të qarta e që dalin jashtë misionit e funksionit të saj kushtetues. Gjoni bëri të ditur se punonjës policie trokasin në dyert e shtetasve, duke kërkuar të dhëna, e informacion lidhur me emigrantët shqiptarë. Sipas tij, gjithçka bazohet në telegramin 898 të datës 17.2.09 drejtuar gjithë strukturave të policisë, ku kërkohet të evidentohen të gjithë shtetasit që deri në datë 28 Qershor mbushin moshën 18 vjeç dhe që aktualisht janë emigrantë, duke pyetur njëkohësisht nëse do të kthehen apo jo për të votuar. Ky veprim nga ana e strukturave të policisë të urdhëruara nga eprorët e politizuar përveçse  bie ndesh me misionin dhe funksionet e Policisë së Shtetit të përcaktuara në nenet 4 dhe 6 të Ligjit për Policinë e Shtetit e për rrjedhojë i pajustifikueshëm ligjërisht, deklaroi Gjoni. Sipas tij, është një veprim aspak transparent dhe qe lidhet direkt me situatën parazgjedhore dhe listat e zgjedhësve e pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Gjithashtu sipas tij, përveç faktit që intimidon zgjedhësit në këtë prag fushate, përbën një sinjal të qartë të një skenari në fermentim për mundësinë e keqpërdorimit të policisë së shtetit në funksion të partisë në pushtet me synim manipulimin e të dhënave sa i përket listave të zgjedhësve dhe numrit të shtetasve të pajisur me letërnjoftime elektronike. Gjoni tha se sipas vetë raportimeve të Ministrit të Brendshme, nga 730 mijë shtetas pa pasaportë vetëm rreth 99 mijë kanë aplikuar. Ai bëri të ditur se nga 3.1 milion votues deri tani kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike vetëm 392 mijë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›