KQZ: Fushatë sensibilizuese për rritjen e pjesëmarrësve në zgjedhjet e vitit 2009
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë një fushatë sensibilizuese për të rritur numrin e pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së u diskutua projektvendimi për Fushatën e Edukimit të zgjedhësve, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet mediave të formave të shkruara dhe mediave audio-vizive.
Sipas KQZ, objektivi kryesor i kësaj fushate është përgatitja sa më cilësore e materialeve ndërgjegjësuese dhe informimi i zgjedhësve në detaje mbi procesin e mbajtjes së zgjedhjeve, orarin dhe rregullat sesi duhet të veprojnë. Fushata, e cila do të realizohet në bashkëpunim me organizata të ndryshme, do të nisë një muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Hapi i parë për ndërgjegjësimin e zgjedhësve do të nisë me njoftimet në media, të cilat do të sqarojnë të gjithë zgjedhësit për mënyrën e re të votimit. Projektvendimi për Fushatën e Edukimit të zgjedhësve, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet mediave të formave të shkruara dhe mediave audio-vizive, pritet të miratohet në fillim të javës së ardhshme.