Rama: Shqipëria, në pikpamje ligjore ka decentralizim të gjerë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama theksoi të mërkurën, gjatë një takimi me studentë të Shkollës Politike Shqiptare, se Shqipëria në pikpamje ligjore ka decentralizim të gjerë. Duke folur rreth modelit shqiptar të decentralizimit, Rama tha se "unë besoj që Shqipëria në pikëpamje legjislative ka decentralizim të gjerë, kryesisht i referohem jo vetëm nënshkrimit të Kartës Europiane për Autonominë Vendore, por edhe ligjit organik të qeverisjes vendore, i cili ka një bazë ligjore që presupozon një vend me një decentralizim të gjerë".
Por, sipas kryebashkiakut Rama, "një pjesë e konsiderueshme e këtij ligji është e pajetësuar, jemi relativisht mbrapa në jetësimin e atij decentralizimi që sheh ligji organik, sepse nga njëra anë me plot të drejtë qytetarët i drejtohen për ankesa pushtetit vendor, dhe nga ana tjetër pushteti nuk i përgjigjet se i mungojnë instrumentat e bazuara në ligj''.