E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: Refuzimi për ushtarakët, shkel Kushtetutën

Deputeti i PS

Partia Socialiste do të mbështesë shtresën e ushtarakëve lidhur me trajtimin financiar të tyre, aktualisht të përpjesëtuar më katërsh nga qeveria e Sali Berishës. Deputeti i saj, Ilir Gjoni, ka denoncuar dje Aktin Normativ të miratuar me nismën e shumicës demokrate, sipas të cilit shuma financiare përfundimtare për ish-ushtarakët reduktohet në 250 milionë lekë nga 1.2 miliardë që parashikonte vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Ajo çka po ndodh këto ditë ku qeveria, përmes një akti normativ të pajustifikuar ligjërisht flet qartë për mungesën e kujdesit që qeveria e Sali Berishës tregon ndaj kësaj shtrese të nderuar të shoqërisë shqiptare. Përmes aktit normativ, Sali Berisha jo vetëm që cenon të drejtat ekonomike të kësaj shtrese, e cila i ka fituar ato me mund e sakrifica, por edhe të drejtat e tyre ligjore të fituara me vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjoni, Kështu qeveria shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha, pavarësisht se e klasifikon veten si një makineri suksesi ekonomik, ka gjymtuar trajtimin financiar të ushtarakëve pa përmendur këtu kundërvënien kushtetuese. Si shprehi e moralit prej gangsteri që udhëheq këtë qeveri, deputeti Gjoni ka sjellë pohimin e ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili në një interpretim juridik origjinal tha se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ilogjik dhe për rrjedhojë nuk do të zbatohet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›