Gjoni thirrje Policisë: Mos iu bindni urdhrave politikë të Berishës
07/12/2009 Partia Socialiste shprehu shqetësimin e saj lidhur me keqpërdorimin e Policisë së Shtetit nga ekzekutivit. Deputeti i PS-së Ilir Gjoni gjatë një deklarate për shtyp vuri në dukje se “me urdhrat qartësisht politikë ndaj Policisë së Shtetit, e cila funksion të vetëm ka ruajtjen e rendit publik, Berisha po na rikthen në një periudhë të hidhur si ajo para dhjetë vjetve, kur ai urdhëronte policinë dhe strukturat e sigurisë që të goditnin popullin për të mbajtur më këmbë pushtetin e tij të korruptuar e mafioz”. Sipas tij, Policia e Shtetit duhet të ruajë neutralitetin politik, të sigurojë autonominë strukturore dhe të jetë në funksion të shtetit e qytetarëve e jo të pushtetit. “PS-ja u bën thirrje të gjithë oficerëve të ndershëm e profesionistë të Policisë të refuzojnë t’u binden urdhrave të disa drejtuesve që janë vegël e njohur e Sali Berishës. PS-ja do të denoncojë ashpër dhe nuk do të lejojë që askush të keqpërdorë Policinë e Shtetit për interesat e familjes. Forca e ligjit do të bjerë mbi këdo që instrumentalizon, me apo pa dashje, Policinë e Shtetit, duke u përpjekur ta ballafaqojë atë me popullin, të cilit ajo duhet ti shërbejë”, - deklaroi ai.