E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festojmë si vend anëtar i NATO-s dhe pranë Bashkimit Europian

07/12/2009  Kryeministri Berisha fton qytetarët në mitingun e 8 dhjetorit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike të degës së Tiranës, ku merrnin pjesë edhe deputetët e këtij qarku, se manifestimi i 8 dhjetori do të nderojë të gjithë ata djem dhe vajza të Universitetit të Tiranës që para 19 vjetësh, në një akt legjende, u përballën në rrugët e kryeqytetit me diktaturën me të egër që Europa kishte njohur ndonjëherë dhe e gjunjëzuan atë. Për kreun e qeverisë, njëherësh dhe të PD-së, demokratët kanë një arsye tjetër shumë të madhe për t’u bashkuar të gjithë në sheshin “Skënderbej” më 8 dhjetor, sepse ishin pikërisht ata që 19 vjet më parë shembën “Murin e Berlinit” në Tiranë. “Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi. Këtë 8 dhjetor ne e festojmë më krenarë se kurrë, e festojmë si qytetarë të një vendi anëtar i NATO-s. Ato ditë dhjetori, kur studentët dhe qytetarët e Tiranës brohorisnin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, ata brohoritnin për idealin euroatlantik të shqiptarëve, që sot është kthyer në realitet”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai theksoi se 19-vjetori i rrëzimit të diktaturës komuniste në vend vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipëri, pasi Bashkimi Europian ka pranuar kërkesën e për anëtarësim, çka përbën idealin madhor të lëvizjes studentore. Po ashtu ai vuri theksin se vendi gjendet në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptar në mbarë Europën. Kryeministri theksoi se qeveria është e angazhuar të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për të përshpejtuar procesin e integrimit. Ai nënvizoi luftën kundër krimit të organizuar dhe mafies. “Ne nderojmë 8 dhjetorin, pasi së bashku gjatë këtyre 4 vjetve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Europën, murin e korrupsionit, që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Europë. Dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies, që aleanca punistomafioze përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë”, - ka deklaruar Berisha. Ai theksoi se në manifestimin e pasdites së datës 8 nderohen përpjekjet dhe sakrificat e mëdha gjatë këtyre 19 vjetve. “Forcat politike që lindën nga 8 dhjetori, shpirti dhe ideali i 8 dhjetorit mbetën të pamposhtura. Sot ne jemi sërish në timon, sot ne jemi në mision të madh dhe të sigurt, se ne do ta kompletojmë atë”, - deklaroi kryeministri Berisha. Ai u ka bërë thirrje të gjithëve, pavarësisht nga bindjet partiake, të marrin pjesë në këtë manifestim.

Organizimi i manifestimit

Manifestimi i 8 dhjetorit parashikohet të jetë një ndër më madhështorët të organizuar ndonjëherë nga Partia Demokratike. Në Ditën e Rinisë pritet që në sheshin “Skëndërbej” vend të veçantë do të zërë festa. Mitingu është menduar në formën e një feste, një koncerti festiv dhe jo me shumë fjalime. Pa dyshim vend kryesor në këtë manifestim do të zërë mesazhi që do të përcjellë kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha. Pritet që ai të flasë mbi lëvizjen studentore, e cila solli ndryshimin e madh në vend, rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste. Kështu, thelbi i aktivitetit do të lidhet me simbolikën e rrëzimit të “Murit të Berlinit” në Shqipëri. Në këtë miting festiv nuk do të mungojnë grupet dhe këngëtarët më të njohur shqiptarë. Pritet të mos mungojnë në këtë rast grupi shqiptar nga Tetova “Elita 5”, që e ndoqën kryeministrin Berisha gjatë të gjithë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po ashtu në sheshin kryesor të kryeqytetit do të këndojnë edhe të tjerë këngëtarë të njohur. Tubimi i ditës së nesërme është vlerësuar shumë nga PD-ja. Prej disa kohësh kjo forcë politike ka shpërndarë në të gjithë vendin figura kryesore për të ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë miting. Po ashtu tubimi duket edhe si një kundërpërgjigje që u jepet mitingjeve të opozitës, që kërkon rrëzimin e Berishës nga posti i kreut të qeverisë.

Çfarë është 8 dhjetori

Më 8 dhjetor 1990 një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës u bënë iniciatorë dhe protagonistë të lëvizjes për ndryshim, të asaj çka u pagëzua si kthesa historike e shqiptarëve, nevoja për demokraci, pluralizëm, liri mendimi dhe shprehjeje. Protestat paqësore të studentëve, të cilët u mblodhën në Qytetin Studenti, u futën në një grevë urie, që më pas iu bashkëngjitën edhe qytetarë të Tiranës e që u shtri në të gjithë Shqipërinë, solli rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste në gjithë Europën Lindore. Përmes kësaj lëvizjeje, e cila ishte shkëndija e ndryshimit të madh, iu dha fund një ndër periudhave më të zymta të vendit. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrja që dëgjohej dhe kumbonte më shumë se gjithçka në ato protesta. Studentët kërkonin ngritjen e një sistemi demokratik në vend, vendosjen e pluralizmit politik, lejimin e besimit e të shprehjes së lirë. Këto, sipas tyre, përbënin themelet e ndërtimit të një shteti të lirë e demokratik. Lëvizja e studentëve shënoi pikërisht nisjen e protestave të mëdha në të gjithë vendin. Pas Tiranës në qytete si Shkodra e Kavaja nisëm protesta të mëdha kundër sistemit komunist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›