E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja me Greqinë nesër në Kushtetuese

07/12/2009  Hapet seanca e gjykimit

Gjykata Kushtetuese do të hapë nesër gjykimin e kërkesës ankimore të Partisë Socialiste me objekt “Shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Data 8 dhjetor u vendos nga Kushtetuesja në fund të muajit nëntor, pas verifikimit të vlefshmërisë së dokumentacionit të subjekteve kërkuese. Dy muaj më parë gjashtë subjekte politike, kryesisht të spektrit të majtë, iu drejtuan këtij institucioni për të kontestuar marrëveshjen në fjalë, por vetëm partia më e madhe e opozitës plotësonte të gjitha kushtet ligjore, duke e legjitimuar atë si subjekt ankimues. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë më datën 26.11.2009 morën në shqyrtim paraprak kërkesën e gjashtë partive dhe çmon se bazuar në nenin 31 të ligjit nr. 8577 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’ ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë”, - thuhej në vendimin e 26 nëntorit. Po ashtu trupa gjykuese e këtij institucioni të lartë vendosi të pezullojë procedurat e ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar. Marrëveshja me Greqinë u ankimua në Gjykatë në mesin e muajit tetor nga Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, partia “Ligj dhe Drejtësi” dhe partia “G-99”.

Vendimmarrja

Ligji përcakton një muaj kohë që Gjykatës Kushtetuese i duhet për ta shqyrtuar kërkesën. Sipas interpretimit të vetë trupës gjykuese, kushtetuesja nuk ka asnjë afat detyrues për të marrë vendim. Kjo me qëllim shmangien e interpretimeve nga institucionet, veçanërisht Kuvendi.

Kuvendi

Kuvendi i Shqipërisë ka përfshirë në programin e punimeve nga 16 nëntori deri më 24 dhjetor ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo është shqyrtuar dhe miratuar vetëm nga Komisioni i Ligjeve, ndërkohë që pritet të diskutohet edhe nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›