Gjoricë, dy tërmete rikthejnë panikun te banorët
Vazhdojnë lëkundjet e tokës në Komunën e Gjoricës dhe zonat përreth saj, duke rikthyer ankthin te banorët. Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar dy tërmete të lehta, të ndodhura njëri pas tjetrit. Dridhjet e para të tokës janë ndier rreth orës 05:15, ndërkohë që vetëm pas dy orëve, në 07:05, është regjistruar një tjetër lëkundje me intensitet të njëjtë me të parën. Kaq ka mjaftuar që te banorët e zonave të prekura nga tërmeti të rikthehet frika e paniku për të mos u rikthyer në banesat e tyre të dëmtuara që prej 6 shtatorit. "Po mbushet muaji që qëndrojmë jashtë me gjithë fëmijë. Jemi tre vëllezër me 15 vetë gjithsej që vazhdojmë të jetojmë në çadra", thotë Bardhyl Balliu, 48 vjeç, nga Gjorica e Poshtme. Moti me shi që ka vazhduar gjatë gjithë natës së premte dhe ditës së shtunë, dhe ulja e ndjeshme e temperaturave, e kanë vështirësuar akoma më tepër situatën për këta banorë. "Ja shikojeni vetë, i gjithë uji i shiut ka hyrë brenda në çadër", thotë Limani, 52 vjeç nga fshati Çerenec i Komunës Gjoricë, i cili po hapte me lopatë një kanal rreth çadrës ku kalonte natën me gjithë familjen e tij, për të mos iu futur uji brenda saj. Kudo ku shkonim të njëjtat fjalë: "Presim sa më shpejt ndihmën e shtetit për të rregulluar shtëpitë, pasi dimri ka trokitur dhe riparimi i shtëpive bëhet edhe më i vështirë për ne", shpreheshin banorët. Ndërkohë, fëmijët në fshatrat Lubalesh dhe Çerenec i Poshtëm, ende nuk vijojnë rregullisht shkollën, pasi godinat ku ata mësojnë, janë mjaft të dëmtuara dhe ende nuk ka nisur rikonstruksioni i tyre, edhe pse janë nxjerrë të pabanueshme nga komisioni i verifikimit qeveritar. Por ankesa për vijimin e shkollës nga fëmijët kanë edhe banorët që vijojnë të jetojnë në çadra jashtë banese, pasi fëmijët e tyre nuk kanë kushte për të mësuar. "E kam shumë të vështirë në mos të pamundur për t‘ua plotësuar kushtet fëmijëve për të mësuar, pasi jam vetë i gjashtë që jetoj në çadër pa asnjë lloj kushti nga më minimalet për jetesë", thotë Gëzim Skënderi, 37 vjeç. Ndërkohë që flitet për ardhjen e dëmshpërblimit të banesave të vlerësuara si të pabanueshme nga komisionet qeveritare, autoritetet lokale nuk gëzojnë asnjë lloj informacioni se kur do të nisë likuidimi për shtëpitë e dëmtuara dhe sa do të jetë kjo masë vlerësimi. Kjo ka bërë që banorët të jenë mjaft skeptikë në këtë drejtim, kur shprehen se fare pak besojnë në dëmshpërblimin e tyre. Sipas tyre, e gjitha kjo situatë është krijuar nga zvarritja e vlerësimeve të banesave të tyre nga ana e komisioneve të caktuara për këtë punë dhe mungesa e transparencës së këtyre vlerësimeve. Gjithsesi, edhe pas gati një muaji nga rënia e tërmetit, për banorët e dëmtuar nuk ka ndodhur asnjë lloj ndryshimi. Ata vazhdojnë të jetojnë nëpër çadra, jashtë banesave të tyre edhe pse shiu dhe të ftohtit, e ka vështirësuar mjaft jetesën për ta.