E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria zbulon rrjetin e shpërndarësve të drogës në Tiranë

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj një grupi prej pesë personash, që dyshohen për tregtim të narkotikëve. Burime zyrtare nga kjo prokurori bënë të ditur se çështja penale kundër shtetasve Ardit Hoxha, Juljan Plaka, Kujtim Ramaj, Marjus Metaj dhe Shkëlzen Kërcuku, të akuzuar për "shpërndarje dhe prodhim narkotikësh", si dhe "moskallëzim krimi", iu përcoll për procedim gjyqësor Gjykatës së rrethit të Tiranës. Shtetasit e mësipërm, të gjithë me moshë të re, (nga 21 deri në 25 vjeç), dy nga të cilët studentë, u arrestuan në qershor të këtij viti në kuadrin e operacionit të koduar "Kursanti", i organizuar nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë. Mësohet se njëri nga të arrestuarit ishte një efektiv i policisë së Kavajës, ndërsa të tjerët janë studentë. Gjatë operacionit policor janë bllokuar rreth 4 kg drogë. Shkëlzen Kërçuku, 23 vjeç, lindur në fshatin Lekaj të Kavajës, punonjës policie (kursant) si dhe, Juljan Plaka, 21 vjeç, student në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Vlorë, si dhe Ardit Hoxha, 21 vjeç, student në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë, të dy banues në Fier, janë ndaluar nga policia pranë konviktit të djemve të Fakultetit të Infermierisë.

Dosja
Sipas dosjes së prokurorisë, e cila është depozituar për gjykim në Gjykatën e Tiranës, tre të arrestuarit e parë, janë kapur në flagrancë në afërsi të kryqëzimit të Farmacisë 10, pranë njërës së godinave të Fakultetit të Mjekësisë, ku gjatë një kontrolli të ushtruar fillimisht ndaj studentëve u është gjetur e fshehur në një çantë sasia prej 3 kg e 444 gr lëndë narkotike, e dyshuar e llojit kanabis sativa. Ndërsa në dhomën ku strehohej studenti Shkëlzen Kërçuku, pranë godinave të Fakultetit të Mjekësisë, është gjetur sasia prej 478 gr lëndë e dyshuar narkotike. Policia dyshon se të arrestuarit kishin krijuar një bazë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, në zonën përreth ish- Shkollës së Bashkuar, si dhe në godinat afër Fakultetit të Mjekësisë, bazë kjo që ishte kthyer në një problem shqetësues për strukturat e policisë. Përveç arrestimit të tre personave, prokuroria thotë se ka edhe prova materiale, pasi specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, kanë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale sasinë prej 4 kg lëndë të dyshuar narkotike, e llojit kanabis sativa e gjetur kjo në çantat e studentëve dhe në shtëpinë e policit kursant, një pistoletë, një palë pranga, katër telefona celularë në pronësi të të arrestuarve, si dhe shtatë karta telefonike të kompanive të ndryshme.

Rrjeti
Burime nga prokuroria e kryeqytetit thanë se tre të rinjtë e sillnin drogën nga qyteti i Fierit, me qëllim shpërndarjen në disa zona të kryeqytetit. Transportimi i saj bëhej me mjete të rastit, si në furgon apo autobus, në kohën kur studentët lëviznin nga qyteti i tyre i lindjes në drejtim të Tiranës. Prokuroria sqaron se zonat ku dyshohet se shpërndahej droga që posedonin tre të arrestuarit vazhdon të mbeten më problematike në Tiranë, ku shpërndahen lëndë narkotike si në ambientet shkollore apo dhe jashtë tyre. Specialistët e Seksionit të Drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë hetuar aktivitetin e të arrestuarve. Studentët në gjykatë do të përballen me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe kultivimit të lëndëve narkotike.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›