Reagon Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit
Në Shqipëri ka probleme të sigurisë ushqimore, kjo sepse sistemi i sigurisë ushqimore ka mungesa të mëdha. Numri i personelit që kryejnë kontrollet e tregut është shumë i vogël, mungon dixhitalizimi. Kjo ka qenë deklarata e kreut të Zyrës për Mbrojtje të Konsumatorëve, Altin Goxhaj. Sipas tij, sistemi i ankesave ende nuk është vënë në funksion dhe ka një mungesë totale të kulturës konsumatore dhe kulturës së sigurisë ushqimore. Konsumatorët i blejnë ushqimet, por shpesh nuk respektojnë kriteret për ruajtjen e tyre, po ashtu tregtarët i konservojnë ato në mjedise të papërshtatshme. Kushtet e mirëmbajtjes janë skandaloze. "Ajo që duhet bërë është një revolucion konsumatorësh se për ditë nuk e dimë se nga na vjen e keqja, duhet të bëhemi të gjithë bashkë që t‘i ndryshojmë rregullat e lojës", sqaroi Goxhaj. Sipas tij, nëse ne u japim prioritet të gjitha palëve ne mund të reduktojmë humbjet. Po ashtu në vendin tonë ka probleme me origjinën e produkteve, por kjo është një çështje për t‘u shqyrtuar në mënyrë profesionale.