E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetia e shtrigave vazhdon…

Martin Leka 

Nuk ka më gjueti shtrigash si dikur…". Kështu u shpreh para pak kohësh kryetari i socialistëve Rama. Duket se një pohim i tillë përmban brenda vetes dhe të vërtetës jo vetëm demagogjinë, por edhe mungesën e skrupullit, në një kohë kur për ta vërtetuar këtë, nuk është aspak e vështirë për këdo.
Duke përdorur këtë parullë, nuk është gjithashtu e vështirë të kuptosh arsyet dhe motivet e kryetarit socialist. Ai prej kohësh po mundohet të bindë njerëzinë përmes ...turit të tij dialogar se ai dhe vetëm ai mund të ndryshojë politikën, se ai dhe vetëm ai është përfaqësuesi i "politikës së re".
Në këtë të ashtuquajtur aksion politik të Ramës për t'i bindur njerëzit se kush është "shpëtimtari" i ëndrrave të tyre të së nesërmes, po ndodh një handikap i çuditshëm. Politikani "i ri" dhe ai "i vjetër" po bashkëpunojnë dhe po bashkëjetojnë më së miri. Kjo ka zgjuar në të njëjtën kohë edhe dilemat dhe mungesën e besimit në parullat demagoge të politikanit Rama nga ana e socialistëve sidomos. Sidomos pas atij bashkëpunimi me Berishën për amendimin e disa prej neneve të Kushtetutës, nene të cilat prekin thelbin e demokracisë parlamentare. Po të marrim si refleksion këtë bashkëpunim të kryetarëve respektivë të PS e PD, atëherë nuk është e vështirë të kuptohet edhe thelbi i konstatimit të Ramës se "nuk ka më gjueti shtrigash": e gjitha bëhet në funksion të uljes së tensionit që ka mbërthyer socialistët dhe simpatizantët për marrëveshjen e fshehtë, të pamandatuar prej tyre të kryetarit socialist me Berishën.
Po le të vijmë tek faktet: a ka pasur "armëpushim" të luftës së shtrigave për të cilën pohon Rama? Për shumë njerëz skeptipë, tashmë është bërë fakt se Berisha nuk mund të rrojë pa konfliktin. Po e fillojmë nga fundi.
Ai është në konflikt me gazetarët dhe edhe pse mundohet ta fshehë herë pas here "origjinën", nuk rri dot pa gjetur tek ata "të keqen". Ditët e fundit, duke mos duruar dhe duke mos i mbajtur dot sentimentet e veta (të vjetra) lidhur me aksidentin që i ndodhi pronarit të "Top Media"-s, sulmoi një pjesë të madhe të medias së shkruar e vizive, duke shkelur disa kode e rregulla në raste të tilla fatkeqësish. Po të rikthehemi vetëm pak në kohë, edhe në rastin e Gërdecit, ku gjetën vdekjen shumë njerëz, u plagosën dhjetëra të tjerë e u bënë shkatërrime të mëdha, një masakër e vërtetë e cilësuar shtetërore, Berisha mbajti pothuajse të njëjtin qëndrim (gabim): sulmoi përsëri mediat. Madje, kjo ndodhi kur ai, si kryeministër ishte në situatën më të vështirë politike dhe ku për hir të së vërtetës, u ndihmua shumë nga sentimentet e dobëta të lidershipit socialist.
Berisha është në konflikt me të gjithë ato formacione politike apo personalitete që në kuadër të nismës për refuzimin e ndryshimit të Kushtetutës nga ai dhe Rama, kanë krijuar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës. Sigurisht, vetëm frika e një vote popullore mund ta bëjë Berishën të jetë kaq i dobët, sa të guxojë të paralelizojë këtë nismë me komitetet e shpëtimit të '97 ku ishte personazhi kryesor i "silurave" të kryengritjes popullore.
 Berisha është në konflikt me Kushtetutën. Dhe me veten. Ndërsa ky njeri nuk le rast pa përmendur lirinë dhe idealet e saj, i ka shkelur këto ideale (bashkë me Ramën këtë herë) pikërisht natën e 21 prillit, kur votoi ndryshimet kushtetuese që prekin themelet e lirisë. Në konflikt me veten, sepse për më shumë se një herë, kishte deklaruar psh., se ishte për zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Berisha është në konflikt me qytetarët e vet. Jo vetëm për ekonominë dhe prosperitetin e tyre të premtuar e të pambajtur, por edhe pse në mënyrë flagrante, u mohon të drejtën për t'u shprehur lirisht për Kushtetutën që ata vetë e kanë votuar dhe ku Berisha e Rama e ndryshojnë sa herë ua kërkojnë konjukturat politike për interesa thellësisht private politike. 
Berisha është në konflikt me Presidentin e Republikës dhe me gjyqësorin. Përmes Topallit të tij parlamentar, ky njeri vë në dyshim dekretet dhe besimin e kreut të shtetit, ish-numrit dy në PD, i cili për perfomancën politike të treguar, mbeti gjithnjë numri një krahasuar me Berishën. Siç është bërë e ditur, Topalli i ka dërguar për "verifikim" emrat e të dekretuarve të Presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë?!...
Berisha është në konflikt me kundërshtarët politikë në nivelin e administratës. Qindra raste të pushimit nga puna për motive politike (për çudi, janë venitur zërat e lidershipit socialist në mbrojtje të tyre) dhe po kaq të tilla të marrjes në punë po për këto motive në administratë, flasin pikërisht për konflikt e gjueti shtrigash.
Berisha është në konflikt me biznesin dhe me lirinë e tregut. Si rrjedhojë e kësaj, ka humbur besimi i konsumatorit për biznesin që ata prodhojnë dhe po krijohet rreth vicioz ku bizneset nuk prodhojnë e konsumatori nuk blen, gjë që do të thotë një nivel skandaloz ekonomie dhe tregu.
…Berisha ka pushuar "gjuetinë" dhe nuk është në konflikt vetëm me Ramën...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›