Kundër izolimit social
Ermira Danaj
U publikua këto ditë raporti i "Amnesty International 2007" për Shqipërinë. Dhe përsëri fillohej me dhunën në familje, njësoj si në vitin 2006. Konkluzioni i "A I" mjafton për të pohuar se të flasësh pra për problemet që prekin gratë dhe vajzat në Shqipëri, për diskriminimin gjinor, dhunën, pabarazitë e ndryshme etj., nuk mund të konsiderohet as "e kotë", as "e mërzitshme" as thjesht sepse është "në modë". Të flasësh për këto çështje është e nevojshme, ndoshta më shumë se më parë, sot kur flasim për dalje nga periudha e tranzicionit, sot kur flasim për integrim në NATO apo BE etj.
Pikërisht sot, në 2008, gratë dhe vajzat shqiptare vuajnë akoma e ndoshta më shumë se dje, diskriminimin, dhunën në forma të ndryshme të saj, izolimin social e shumë pabarazi të tjera. Le të ndalemi pak më shumë të izolimi social, si një fenomen në rritje dhe shumë i rrezikshëm duke qenë i padukshëm. Shumë gra janë tërhequr nga tregu i punës në Shqipëri për shkak të faktorëve të ndryshëm të ndodhur pas '90-ës. Dhe për to ishte shumë e vështirë të riktheheshin në këtë treg pune sa të lirë aq edhe kaotik dhe pa asnjë drejtim. Ndaj ato janë aktualisht në hije. Ndërkohë që ka shumë vajza të cilat kanë vështirësi në ndjekjen e sistemit arsimor. Eshtë e vërtetë se në shkollat e larta shkojnë më shumë vajza se sa djem, dhe kjo është një shifër pozitive. Por le të shikojmë pak më thellë se kaq dhe pak më në brendësi të problemit. Numri i vajzave që mbarojnë shkollën 8 (9)-vjeçare dhe shkojnë në shkollë të mesme është më i vogël se sa ai i djemve që shkojnë në shkollë të mesme. Dhe kjo ndonjëherë ndodh për shkak të mendësisë patriarkale që e shikon vajzën pronë të babait e më pas të burrit, ndonjëherë për shkak të largësisë së shkollës nga shtëpia, por ka raste kur ndodh sepse në shkollat ekzistuese mungojnë edhe lehtësira themelore sikurse mund të jenë tualetet. Dhe nëse është shumë pozitive që në shkollë të lartë shkojnë më shumë vajza se sa djem, nuk duhen harruar ato që e ndërpresin shkollën në klasën e tetë dhe që ngujohen brenda mureve të shtëpisë, në një izolim social në rritje ku i vetmi ushqim do të jenë personazhet e telenovelave.
Por analiza nuk mbaron: edhe ato vajzat që mbasi mbarojnë shkollën e lartë apo të mesme, arrijnë të hyjnë në tregun e punës, do iu duhet shpeshherë të largohen për shkak të angazhimeve në familje, kujdesit për fëmijët, të moshuarit, bashkëshortit ndoshta, punëve të shtëpisë etj. Vjen një moment që edhe këto gra dhe vajza të tërhequra vetëm për pak kohë nga tregu i punës, nuk arrijnë dot të rikthehen më, sepse iu është dashur të kujdesen për fëmijët, sepse nuk ka shërbime sociale të mjaftueshme për t'i mbështetur ato, sepse në Shqipëri nuk ka shumë mundësi punësimi part-time etj.
Dhe përsëri analiza nuk mbaron: nëse do të shikonim grafikët e përdorimit të kohës së tyre do të vinim re orë të kaluara në punë shtëpie, kujdes për fëmijët, për të moshuarit etj. Edhe ndonjë pjesë e ditës e kaluar duke parë telenovelat e preferuara sepse në shumicën dërrmuese të qyteteve (dhe nuk po flasim fare për zonat rurale) nuk ka një hapësirë argëtuese, nuk ka një lulishte, nuk ka një kinema sado modeste, nuk ka teatër etj., etj. Dhe kemi përsëri një kategori vajzash dhe grash të cilat izolohen në shtëpi, brenda mureve të saj, pa asnjë mundësi për çfarëdolloj aktiviteti rekreativ.
Dhe kthehemi përsëri te raporti i "A I". Të paktën vitin e fundit, askush nuk mund të mohojë faktin e dhunës ndaj grave në rritje, dhunë që në shumicën e rasteve ka përfunduar me vdekjen e viktimave të saj. Dhe thelbi i kësaj dhune fizike ka qenë mbizotërimi i dhunës tjetër, i asaj simbolike, që ekziston në vlerat tona, në kulturën tonë, në mendësinë tonë, ose më saktë të një pjesë të shoqërisë, se vajza apo gruaja është pronë e babait apo e bashkëshortit. Është kjo mendësi që e konsideron gruan dhe vajzën pronë, që riprodhohet prej brezash në shoqërinë tonë dhe që do të vazhdojë të riprodhohet, të paktën për sa kohë gratë dhe vajzat do të jenë pre e izolimit të sotëm social, e pamundësisë për të shprehur aftësitë dhe potencialet e tyre. Për sa kohë nuk do të ndërgjegjësojmë gratë dhe vajzat për të drejtat, mundësitë dhe potencialet e tyre, për sa kohë ato nuk do të mund të marrin pjesë në jetën sociale në qytetet apo fshatrat ku jetojnë, për sa kohë do të vazhdojë të votojë kryetari i familjes, dhe të tjerët të ndjekin bindjet e tij, për sa kohë në mbledhje, takime apo debate do të marrin pjesë vetëm burra, për sa kohë do të vazhdojmë të kemi një grusht burrash të cilët bëjnë politika dhe aprovojnë ligje, që nuk marrin parasysh impaktin e tyre te burrat dhe te gratë etj etj., do të vazhdojmë të kemi këtë riprodhim mendësie, këtë riprodhim pabarazish dhe diskriminimi. Nuk mund të flasim për asnjë lloj integrimi për sa kohë ne kemi këtë izolim social në rritje të grave dhe vajzave në Shqipëri. Le ta konsiderojmë luftën ndaj izolimit social të grave dhe vajzave si objektivi kryesor në rrugën drejt objektivave të shumtë të barazisë gjinore, si fillimi i një procesi të gjatë, shpesh edhe të ngadaltë, por të domosdoshëm për sa kohë do të dëshirojmë të ecim përpara.
*sociologe, koordinatore kombëtare e Forumit të Gruas PSSH