E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët: Reforma e naftës, politike

KUÇOVE - Deputetët socialistë zhvilluan dje një takim me punëtorët e pushuar nga puna në zonën e naftës në Kuçovë. 

Duke e cilësuar si reformë pa kriter, në qytetin e vogël kanë mbërritur dje deputetët e PS-së Erjon Braçe, Marko Bello dhe Pilo Kërri. Ata kanë takuar punëtorët e shkurtuar në sektorin e naftës për shkak të reformave në kompanitë e mëdha të naftës. Deputetët në këtë takim janë shprehur se, kjo nuk është një reformë në kuadrin e rikonstruksionit të sektorit të naftës, për një reformë politike. "Kjo reformë u jep mundësinë simpatizantëve të Partisë Demokratike që në momentin e privatizimit të objekteve të këtij sektori të bëhen aksionerë", u shprehën ata. Përfaqësuesit e grupit parlamentar socialist kanë premtuar se do t'i mbështesin në Parlament dhe do të kërkojnë anulimin e kësaj reforme politike. Në zonën e Kuçovës pritet të largohen 70 punëtorë të këtij sektori, të cilët pritet t'i bashkëngjiten numrit të 12 mijë të papunëve të këtij qyteti. Reforma e "Albpetroli"-t dhe "Armo"-s do të prekë 1700 punonjës, në zona të ndryshme të vendit. Prej disa ditësh, 30 punonjës të Gorishtit në Vlorë janë në grevë urie pasi kundërshtojnë listën me emrat e tyre. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›