Zhdukja e 6-vjeçares, policia vë 500 mijë lekë shpërblim për informacionet
KUKËS - Kanë kaluar tri ditë që nga humbja në mënyrë misterioze e vajzës 6-vjeçare të familjes Mata në Zapod të Kukësit dhe policia ende nuk ka rënë në gjurmët e saj. Asnjë shenjë dhe asnjë e dhënë për fatin e vogëlushes Bleona Mata. Policia ka vënë në dispozicion shumën prej 500 mijë lekësh për çdo person që jep informacione në lidhje me këtë zhdukje të mistershme. I gjithë fshati Zapod dhe fshatarë të komunave përreth vazhdojnë kërkimet në mal, të ndihmuar edhe nga forca të policisë. Drejtoria e Policisë së Kukësit ka angazhuar në operacionin e kërkimit që prej ditës së parë një numër të madh efektivësh. Kërkimet janë shtrirë edhe në territorin e Kosovës. “Kemi vënë në dijeni edhe autoritetet e Kosovës, kemi marrë takim me autoritetet atje, kemi shkuar në kufirin me fshatin Zapod në anën e Kosovës”, - thotë drejtori i Policisë së qarkut, Sadri Ramcaj. Deri tani nuk ka një pistë të saktë kërkimi nga ana e policisë ku nuk përjashtohet edhe mundësia e grabitjes për trafikim krahas pistave të tjera si ajo e sulmit nga kafshët e egra etj. Një banor i Zapodit thotë se ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë bashkë me të tjerët deri lart në bjeshkë, derisa të gjendet një gjurmë e vajzës së vogël. Vajza kishte dalë nga shtëpia rreth mbrëmjes së të shtunës për të kullotur bagëtitë, por nuk është kthyer më. Familjarët kanë pritur mëngjesin e së dielës dhe më pas kanë nisur kërkimet. Duke qenë se këto kërkime kanë qenë pa rezultat, gjatë ditës së hënë kanë njoftuar policinë.
26 Maj 2010