E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni dhe deficiti fiskal, misionet e vështira të Shqipërisë

Peter Sanfi flet për efektet e krizës greke në vendin tonë

Kriza greke vazhdon të sjellë pasiguri në tregjet financiare botërore, të cilat nuk janë ende të sigurta për efektshmërinë e masave të marra nga qeveria e Athinës. Një ekonomist i lartë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër nuk pret që efektet e kësaj krize në ekonominë shqiptare të jenë serioze, megjithëse rritja ekonomike, sipas BERZH-it, këtë vit për Shqipërinë do të jetë 1.4%. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Peter Sanfi thotë se ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja në kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal janë më të rëndësishëm sesa koha e shitjes së erobondeve nga qeveria shqiptare.

Zoti Sanfi, çfarë ndikimi do të ketë kriza financiare greke për Shqipërinë?

Greqia është një vend shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ka lidhje të forta mes dy vendeve, lidhje tregtare, investime. Shumë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe dërgojnë të ardhura për familjet e tyre në Shqipëri dhe këto janë një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare.
Kështu që pa dyshim që çdo vështirësi që shfaqen në Greqi do të sjellin efekte në ekonominë shqiptare. Megjithatë, kjo situatë po ndryshon me shpejtësi dhe do të na duhet të shohim si do të zhvillohet situata në Greqi dhe sa të efektshme do të jenë masat që janë marrë.

Shqipëria ka demonstruar elasticitet përgjatë krizës globale financiare dhe ne presim që ajo të demonstrojë të njëjtën gjë ndaj situatës në Greqi. Pra do të ketë efekte, por jo shumë serioze.

Zyrtarët shqiptarë besojnë se kriza greke nuk do të ketë efekte në ekonominë shqiptare. Bankat greke që operojnë në Shqipëri, thonë ata, kanë kapital të qëndrueshëm dhe nuk kanë varësi te bankat qendrore. A mendoni se është kjo gjendja?

Kjo ndoshta është e vërtetë. Sistemi bankar në përgjithësi në Shqipëri, ku përfshihen edhe bankat greke, është fitimprurës, i kapitalizuar mirë, me shumë likuiditet dhe operon në një treg që është nga pikëpamja financiare ende në zhvillim.
Gjatë viteve në vazhdim do të shohim zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare në Shqipëri dhe jam i sigurt që bankat greke në Shqipëri do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Për të theksuar atë që thashë më parë do të ketë efekte anësore por Shqipëria ka treguar elasticitet gjatë krizave të kaluara dhe kjo është e vërtetë për sektorin bankar dhe mbarë ekonominë.

BERZH-i ka investuar në të paktën dy banka shqiptare. Si po ecin huat e dhëna nga këto banka?

Ka pasur një rritje të vogël në huat e papaguara, por në përgjithësi këto banka po performojnë mirë, ishin fitimprurëse edhe në 2009-n, që ishte një vit i vështirë për të gjithë. Ne po punojmë me ta dhe po monitorojmë situatën. Deri tani ato i kanë rezistuar mirë krizës.

Duket se Shqipëria po vonon planet për të ofruar eurobonde me maturim tre deri në pesë vjet për shkak të alarmit të shkaktuar nga kriza greke. Parlamenti shqiptar miratoi rritjen e interesit të eurobondeve nga 7,5 në 8,5. A mendoni se Shqipëria do të mund të realizojë planet e saj dhe a janë eurobondet të nevojshme për qeverinë shqiptare në këtë fazë?

Është shumë e vështirë të parashikosh dhe të thuash se cila do të jetë koha më e mire. Jemi në kohën kur ka luhatje të mëdha në treg. Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është më shumë sesa shitja e eurobondeve – është e rëndësishme të ruhet stabiliteti makroekonomik, mbajtja nën kontroll e inflacionit, menaxhimi i deficitit fiskal. Këto janë parametrat e rëndësishëm ku duhet të përqendrohet qeveria.

Si do të ndikojë rritja e kostove të huas së qeverisë shqiptare te bizneset? A do të ngrejë BERZH-i interes për huat që u jep bizneseve shqiptare?

Sigurisht që çdo rritje kostoje në borxhin e qeverisë mund të ketë efekt në huat për sektorin privat dhe kjo do ta bënte situatën pak të vështirë për bizneset private.

Përsa u përket huave të BERZH-it, ato janë të përcaktuara për një kohë të gjatë, kështu që ne nuk reagojmë në të njëjtën mënyrë si bankat komerciale. Ne jemi investitorë aty për një periudhë afatgjatë.
Kur bëhet fjalë për huat e bizneseve private ne operojmë si bankat komerciale, pra marrim parasysh rreziqet për të vendosur çmimin. Por nuk mund të them për momentin sesi do të ndikojë situata që ju përmendët në normat e interesit. Kjo do të varet nga projektet, në vlerën kredituese të klientit.

Me çfarë rreziqesh përballet ekonomia shqiptare në këtë fazë?

Ka sigurisht rreziqe, por edhe mundësi të reja. Duhet të kemi parasysh se Shqipëria ka pasur për më shumë se një dekadë rritje të shpejtë ekonomike, që është ulur gjatë krizave të fundit, por që mbetet pozitive. Por është ende një ekonomi që i duhet të arrijë nivelet e jetesës të vendeve që janë në Bashkimin Europian. Rreziqet janë të njëjta me ato të vendeve të tjera të rajonit, – kriza globale ende nuk ka përfunduar dhe kjo sjell vonesa në kthimin në nivelet e rritjes së shpejtë.

Çfarë e bën ekonominë shqiptare kaq elastike për të përballuar krizat si atë globale financiare apo këtë tani në Greqi? Ju duket të jeni optimist për ekonominë shqiptare.

Është pyetje me vend. Nuk ka vetëm një faktor që mund të theksosh, por janë disa. Do të veçoja faktin se Shqipëria është më pak e integruar në ekonominë globale sesa vendet e tjera të rajonit. Mjafton të shohësh treguesit e eksporteve dhe importeve në raport me GDP-në, që janë më të ulëta sesa vendet e tjera në rajon.
Pra kur ka krizë globale Shqipëria është pak më e mbrojtur. Kam qenë në Shqipëri disa herë dhe gjithmonë më ka habitur shpirti i fuqishëm i afarizmit që ekziston atje. Ekonomia është e dominuar nga firma të vogla që mund të gjejnë mënyra për të përballuar vështirësitë dhe problemet që mund të dalin.

FMN-ja pret që rritja ekonomike për 2010-n do të jetë 2 apo 2.5 për qind. Çfarë prisni ju për 2010-n?

Ne gjithashtu presim rritje pozitive këtë vit. Publikuam parashikimet tona në takimin vjetor të BERZH-it dhe presim një ulje të rritjes ekonomike në Shqipëri këtë vit. Parashikimi ynë është 1.4% dhe kjo reflekton disa nga shifrat që kemi parë në Shqipëri gjatë tremujorit të parë.
Pra rritja është ende pozitive, mbi mesataren e vendeve të Europës Juglindore, por sigurisht është më poshtë nga ajo sa mund të arrijë Shqipëria në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë. Në 2011-n presim që rritja të jetë mbi 3%.

Gjatë viteve, Shqipëria është menaxhuar pa plane për të krijuar një avantazh konkurrues afatgjatë në një industri specifike. Si mund ta ndihmojë BERZH-i Shqipërinë me iniciativa që do të sillnin rritje dhe një ekonomi të pavarur?

Ka shumë mënyra që BERZH-i mund të ndihmojë. Ne kemi qenë në Shqipëri për shumë vite dhe kemi një portofol të pasur investimesh dhe po kërkojmë aktivisht për investime të reja për ta ndihmuar ekonominë. BERZH-i operon në shumicën e sektorëve të ekonomisë shqiptare. Ne po e ndihmojmë Shqipërinë përmes investimeve tona por edhe përmes dialogut me autoritetet për të përmirësuar kornizën rregullatore për sektorin publik, përmirësimin e klimës për bizneset private, për përmirësimin e rregulloreve të sistemit financiar në mënyrë që bankat dhe institucionet e tjera financiare të funksionojnë më me efektshmëri. Kjo është baza e strategjisë sonë për Shqipërinë. Në Shqipëri kemi pasur një eksperiencë të suksesshme dhe duam të bëjmë akoma më shumë në të ardhmen.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›