OSBE: PS të reflektojë për bojkotin
BLEDAR HOTI
OSBE i bën thirrje Partisë Socialiste që të reflektojë qëndrimin e saj mbi bojkotin parlamentar. Qëndrimi i parë zyrtar dhe i drejtpërdrejt kundër bojkotit erdhi dje nga Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Bojkoti i opozitës, sipas Bosch, dëmton miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, duke përmendur si primare ligjin “Për Gjykatën Administrative”. Sipas Ambasadorit, “mungesa e opozitës në Parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme, ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve për të cilat kërkohet një shumicë votash prej tre të pestave. Pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkon një shumicë të tillë votash, ashtu si edhe ligji i shumëpritur i gjykatave administrative”. “Mungesa e opozitës do të thotë gjithashtu që shumica e ligjeve po miratohen pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve. Po shfrytëzoj rastin, për t’i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë de facto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern. Duhet bërë e mundur që ata të ndjejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur, si me fjalë ashtu dhe vepra”, deklaroi Bosch në seancën e Konsorciumit Ndërkombëtar. Kreu i prezencës së OSBE-së tha më tej se “po në këtë kuadër, do t’i kërkoja Qeverisë të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar që të gjitha ligjet të diskutohen nga grupet e interesit, para se të miratohen në Parlament”.
Emërimet e anëtarëve të Gjykatave
Bosch kërkoi në të njëjtën kohë një proces transparent, në lidhje me procesin e caktimit të anëtarëve të Gjykatave të Larta dhe asaj më supreme në vend, Kushtetueses. “Për sa i takon sistemit të gjykatave, integriteti i procesit gjyqësor vazhdon të mbetet një sfidë. Kohët e fundit ka pasur shumë debate në lidhje me postet vakante në Gjykatën Kushtetuese, dhe që do të rezultojë në zëvendësimin e dy të tretave të Gjykatës. Do t’u kujtoja të gjithëve rëndësinë e kujdesit që duhet treguar në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në këtë organ. Procesi duhet të jetë transparent”, tha Bosch. Sipas tij, gjyqtarët duhet të përzgjidhen bazuar në njohuritë ligjore që ata kanë, në aftësitë e tyre për arsyetim ligjor, dhe mbi të gjitha, për integritetin e tyre. “Të njëjtat kritere duhet të përdoren në marrjen e të gjitha vendimeve, për ngritjen në detyrë të personave në sistemin gjyqësor – gjithashtu edhe për sa i takon Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të Apelit, në mënyrë që të ketë përmirësim të dukshëm në cilësinë e drejtësisë që ofrohet”, tha Bosch. Kreu i prezencës së OSBE-së dha vlerësime pozitive në lidhje me punën e bërë nga ana e Policisë së Shtetit, ku një nga arritjet më mbresëlënëse ka qenë puna e saj gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare. Në këtë konsorcium merrnin pjesë Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, zëvendësministër i Brendshëm, Avenir Peka, Prokurore e Përgjithshme, Ina Rama, Ambasadori Lohan, zëvendësambasadorja amerikane Debora A. Xhons.