E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita ka filozofinë e sfidës ndaj institucioneve



Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm ilir Meta, në një bashkëbisedim me gazetarët, tha dje se liberalizimi i vizave është i lidhur me realizimin e kushteve teknike. I pyetur nga media nëse ngërçi politik mund të ndikojë në liberalizimin e vizave, Meta tha se ky proces është i mbështetur në plotësimin e kushteve. Ai tha se nuk beson se dikush mund të ketë paragjykime për liberalizimin e vizave apo për plotësimin e kushteve që ka arritur vendi. “Por për çështjen e liberalizimit të vizave, mendoj se parimi ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i qartë; i gjithë ky proces është në parim i mbështetur në plotësimin e kushteve dhe të standardeve teknike dhe unë duhet t`ju them, sikurse e kam theksuar dhe më përpara, se Shqipëria ka bërë një progres spektakolar në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe absolutisht që Shqipëria e meriton dhe nuk besoj se dikush do të ketë paragjykime në këtë drejtim”, tha Meta. Më tej, numri dy i Qeverisë ka përsëritur ftesën për bashkëpunim me opozitën, brenda institucioneve dhe kuadrit kushtetues të vendit. I pyetur nga mediat në lidhje me protestën e datës 30 prill, Meta tha se nuk pajtohet me këtë filozofi. “Natyrisht kjo është një situatë krejtësisht pa kuptim. Ju keni dëgjuar që më 30 prill do të hapen kutitë. Dëgjuat edhe që do hapeshin në nëntor dhe se do të përmbysej Qeveria. Këto gjëra nuk bëhen në këtë mënyrë dhe është vërtet jo pozitive që ekziston ende filozofia e imponimit në mënyrë jo të arsyeshme dhe e sfidës ndaj institucioneve. Këto janë institucione që i kanë krijuar gjithë shqiptarët, gjithë forcat politike, duke filluar që nga Kushtetuta dhe deri te gjithë institucionet e tjera, dhe si të tilla duhet të respektohen”, tha Meta. Ai shtoi se opozita duhet të ketë një sjellje normale politike, në mënyrë që vendi të ketë një garanci si shtet ligjor. “Ndaj me të drejtë, edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar janë të shqetësuar, sepse kjo nuk është një sjellje politike, kjo është vërtet një sjellje jo evropiane dhe unë përsëri do të shprehja dëshirën që të ndiqej rruga e institucioneve, që është e vetmja rrugë që i çon të gjithë përpara, pa dyshim edhe opozitën”, deklaroi për mediat kreu i LSI-së Ilir Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›