Pas Ballës, Byroja ndëshkon deputetin e PD-së, Lefter Maliqi
Ndërsa jashtë sallës opozita protestonte, brenda saj, maxhoranca e ka dënuar ashpër qëndrimin që po mbajnë socialistët me bojkotin e tyre. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi e cilësoi si të qëllimshëm bojkotin e PS-së. “Jashtë çdo lloj kompleksi, Kryeministri i vendit deklaroi dje në Bruksel, se në përgjigjet e pyetësorit janë 19 vjet përpjekje dhe arritje të Shqipërisë”, tha Astrit Patozi. Kreu i grupit të maxhorancës theksoi se “është qesharake të nxjerrësh njerëzit nga shtëpia për t’i paraqitur sikur janë të revoltuar, për mungesën e sinjalit televiziv dhe akoma më komike që të fshihesh pas përjashtimit të Taulant Ballës. Do të ishte më dinjitoze që Edi Rama dhe përkrahësit e vet të kishin kurajon dhe sinqeritetin për t’iu drejtuar shqiptarëve, por në radhë të parë zgjedhësve të vet, se nuk e duan integrimin dhe liberalizimin e vizave, sepse kanë frikën malinje se prej kësaj merr kapital politik Qeveria”, tha Patozi. Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj tha se “shfrytëzoj edhe njëherë rastin të ftoj opozitën që të kontribuojë në këto ditë, që janë vendimtare për heqjen e vizave. E ftoj opozitën për të thënë fjalën e saj. E ftoj opozitën për të diskutuar këtu ligje. E ftoj opozitën për të diskutuar këtu reforma dhe për të kontribuar të gjithë së bashku në heqjen e vizave për shqiptarët. Ftoj opozitën për të mos e humbur këtë shans”. Maxhoranca, ndërkohë ka përdorur të njëjtën metodë, ashtu si dhe me Ballën, duke ndëshkuar deputetin e saj Lefter Maliqi, për diskutimin e tij fyes në adresë të kolegëve të opozitës Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Erjon Braçe. Topalli mblodhi pas seancës Byronë dhe mori vendimin për përjashtimin e deputetit Lefter Maliqi, për një periudhë 13-ditore, nga punimet e Seancës Plenare dhe të komisioneve parlamentare, për thyerje të etikës. Ndërsa deputeti i PD-së, Edi Paloka në fjalën e tij tha se “është po ky Edvin që përdor deputetët që ka zgjedhur vetë për të mbrojtur pallatet pa leje. E merr grupin parlamentar dhe e çon të mbrojë pallatet e Dash Pezës. Të njëjtën gjë po bën dhe me sheshin dhe me këtë luftën për Taulant Ballën, për kutitë e ku di gjë unë se çfarë”.