E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë; Akuzohen për vjedhje, policia arreston pesë persona

Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë persona, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë u realizua kapja e shtetasit në kërkim, Sergeto Turullaj, 18 vjeç, banues në Tiranë. Kapja e tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim të datës 10.09.2009, ka dhënë masën e sigurisë “arrest burg”, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim. Gjithashtu u ndaluan tre të rinj, të cilët akuzohen se kanë grabitur konviktin e Gjuhëve të Huaja. Në prangat e uniformave blu ranë 16-vjeçari A.K., lindur dhe banues në Shëngjergj, 17-vjeçari A.Q., lindur dhe banues në Fushë–Krujë dhe i mituri me inicialet R.Ç., 16 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Sipas policisë, ndalimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se rreth orës 18:00 të së martës, në “Rrugën e Elbasanit” në ambientet e konviktit të Gjuhëve të Huaja, kanë vjedhur disa pajisje kompjuteri në magazinën e konviktit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një monitor, një njësi qendrore, një skaner dhe një bateri kompjuteri. Ndërkohë që shërbimet e komisariatit numër 3 arrestuan në flagrancë Maringlen Çepelen, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi në orën 11:00 të ditës së djeshme dyshohet se në rrugën “Mahmut Fortuzi”, pall. 33/1, është kapur duke tentuar të vjedhë banesën në pronësi të një shtetasi me kombësi turke. Policia kreu veprimet procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›