E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para dy vjetësh, kthimi në veri dukej i pamundur

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, në një takim me gazetarë në përfundim të vitit, ka vlerësuar si arritjen më të madhe rindërtimin dhe fillimin e kthimit të banorëve në veri të qytetit.

Rexhepi, i cili përfundon mandatin me konstituimin e asamblesë së re komunale, tha se para dy vitesh kur e mori detyrën e kryetarit kjo ishte e paimagjinueshme.

“Duke pasur parasysh se ky mandat ka qenë dyvjeçar, rezultatet e punës janë shumë të mëdha. Në veri janë rindërtuar dhe janë në proces rindërtimi rreth 60 shtëpi”, tha Rexhepi, i cili shoqërohen nga nënkryetari Ismajl Smakiqi dhe shefat e drejtorive komunale.

Duke prezantuar të arriturat dhe sfidat gjatë këtij viti dhe gjatë mandatit të tij në përgjithësi, kryetari Rexhepi vlerësoi se suksesi më i madh që mund të përmendet për dy vitet e fundit në këtë komunë është investimi dhe rindërtimi në veri, përderisa si sfidë përmendi çështjen sociale.

Ai theksoi se para dy vitesh, dukej pothuajse e paimagjinueshme që të rindërtohet në veri dhe të nisë kthimi i banorëve atje.

Ndërsa kthimin e familjeve të para që kanë nisur të realizohen në Lagjen e Doktorëve dhe Kroin e Vitakut, ai e vlerësoi si një moment të ri. “Tashmë mundësitë janë shumë më të mëdha që procesi të vazhdoj mirë, duke pasur parasysh se ai ka nisur mbarë. Kjo është edhe më e besueshme duke pasur parasysh edhe bashkëpunimin shumë të mirë me strukturat e sigurisë, si të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”

Poashtu ai vlerësoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë me ICO-n, përderisa esenciale e cilësoi pjekurinë e qytetarëve, të cilët kanë kontribuuar në mbajtjen e situatës së qetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›