E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjukanoviç tërhiqet nga politika, fjalët e fundit “kundër” Serbisë



Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ka vendosur të braktisë politikën, duke ia adresuar fjalët e fundit kritikave të ashpra ndaj Serbisë. Përkundër komenteve mediatike, ai ka mohuar se largimi i tij nga politika malazeze është detyruar nga presioni i ndërkombëtarëve. Gjukanoviç tha dje, se askush nuk ka kërkuar dorëheqjen e tij. Në deklaratën dhënë televizionit të Malit të Zi, duke mos precizuar se kujt i referohet, Gjukanoviç tha se mes bashkëpunëtorëve shumëvjeçarë sheh disa kandidatë që do të mund ta trashëgonin, por që ai s’ka asnjë ambicie për të caktuar trashëgimtarin e postit të tij. Kjo do të vendoset gjatë bisedave partiake me partnerin e koalicionit. “Do të vazhdoj të jetoj në Mal të Zi dhe të merrem me punë tjetër, po edhe të kënaqem me atë që kemi arritur”, vlerësoi Gjukanoviç. Kryeministri malazez vendosi të largohet tani, edhe pse mandati i Qeverisë së ndërtuar prej tij skadon në vitin 2013. Gjatë deklaratave të tij në televizion, Gjukanoviç i ka kushtuar një vend të veçantë kritikave ndaj Serbisë. Ai e ka akuzuar Beogradin, se ka për qëllim ta paraqesë Malin e Zi si “shtet kriminel”, që nuk ka kapacitete juridike që të jetë shtet i pavarur. “E gjitha kjo tregon se problemi thelbësor nuk është qëndrimi malazez ndaj Kosovës, por pavarësia e Malit të Zi dhe ata nuk janë pajtuar me të drejtën e Malit të Zi për të marrë vetë vendimet. Gjukanoviç kujtoi se Serbia ka probleme me të gjitha shtetet e rajonit, Kroacinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. “Serbia pretendon për pozicionin e liderit në rajon, por që dikush të jetë lider, duhet të zgjidhë problemin e kriminelëve të luftës, të zgjidhë nëse ata që kanë bërë krime në Srebrenicë janë heronj apo kriminelë, dhe të tregojë aftësi për zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët”, kritikoi Gjukanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›