E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu merr mbështetjen e Obamës, vlerëson Evropën



Kryeministri grek, Jorgo Papandreou ka marrë premtimin e presidentit Obama, se Greqia nuk do të jetë vetëm në këtë periudhë të vështirë. “Qoftë në kohë të këqija, apo në të mira, SHBA do të jenë mike dhe partnere për Greqinë dhe grekët”, ka thënë Obama gjatë takimit me Papandreun. Pas takimit me Presidentin amerikan, Kryeministri grek tha “Obama ka premtuar se çështja greke do jetë në axhendën e tij”. “Kohëve të fundit kemi rënë viktima të spekulatorëve. SHBA do të kontribuojnë shumë në këtë drejtim”, tha Papandreu për gazetarët, duke sqaruar edhe një herë se s’kishte kërkuar asnjë ndihmë ekonomike nga SHBA-ja. “Nuk besoj që liderët greke janë në Uashington për të kërkuar ndihmë financiare. Kjo është një kompetencë e BE”, pohoi ndërkohë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs. Këtë e përsëriti edhe ministri grek i Financave, Papakostandinou. Sipas tij, problemi grek “është evropian dhe lidhet me euron dhe me spekulimet”. Dje, gjatë fjalimit të tij në Uashington, Papandreu vlerësoi se ai po shikon “një vullnet të ri” në Bashkimin Evropian për të luftuar kundër krizave financiare dhe ka folur mbi draftin e ri që ka planifikuar së shpejti BE, për spekuluesit e tregut financiar. “Ne do të donim të merrnim para borxh me shkallë normale përqindjeje apo normë më të ulët”, tha Papandreu. Ai shtoi se plani i rishikimit të ligjeve financiare është në bashkëpunim me kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, Presidentin francez, Nikolas Sarkozi dhe kryeministrin e Luksemburgut, Jean Klode Junker, i cili drejton grupin e ministrave të Financës së eurozonës. Sa për ndërhyrjen e FMN-së, duket qartë se liderët evropianë duan ta ruajnë atë si burimin e fundit ku mund të drejtohen, duke preferuar t’i zgjidhin problemet e tyre brenda strukturave financiare të Bashkimit Evropian. Deri më tani, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka ofruar Greqisë asistencë teknike dhe këshilltare,por jo borxhe. Edhe vetë autoritetet greke, deri tani nuk i kanë kërkuar borxh, institucionit financiar të udhëhequr nga Uashingtoni. “Siç e shihni, Evropa po përpiqet të forcojë financat e saj dhe po përpiqet ta evitojë situatën e krizës, edhe pse kjo tani mund të tingëllojë thjesht si mundësi teorike”, vlerësoi Papandreu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›