SHBA, lind vetë, më pas merr djalin në shkollë
Një grua 32-vjeçare nga shteti amerikan Kentaki, ka lindur beben e saj e vetme në shtëpi dhe më pas, me gjithë beben e porsalindur në krah, ka shkuar të marrë në shkollë djalin tjetër. Gruaja ka treguar për mediat amerikane se dhimbjet e lindjes i kishin ardhur krejt papritur. Kështu është detyruar të bëjë çdo gjë e vetme: ka lindur fëmijën në lavanterinë e shtëpisë, ka prerë kordonin e kërthizës, dhe më pas është detyruar të dalë së bashku me beben për të marrë djalin tjetër në shkollë, dhe të tre kanë shkuar së bashku te gjyshja. Vetëm pas kësaj, 32-vjeçarja është kujtuar se duhej të kthehej njëherë edhe në spital, për vete dhe beben. Ngjarja ka ndodhur në qytezën Harrodsburg dhe protagonistja, Kelly Bottom, sado e çuditshme që duket, sipas deklaratave që ka bërë në gazetën e përditshme lokale “The Advocate Messenger”, ka thënë se nuk e dinte që ishte shtatzënë. Dhimbjet i kanë ardhur krejt papritur, prandaj ajo nuk kishte marrë asnjë masë, apo edhe mjek për lindjen dhe i ka bërë të gjitha vetë. I porsalinduri është mashkull dhe sipas të dhënave nga spitali i këtij qyteti peshon rreth 3 kilogramë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe nëna e tij.