E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjunkshi siguron SHBA: Nuk lëkundemi nga rënia e kapiten Voglit

TIRANE - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi zhvilloi sot një bisedë telefonike me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA, Gjeneral Martin Dempsey.

Mësohet se gjenerali amerikan Dempsey shprehu ngushëllimet për humbjen e kapiten Feti Voglit në Afganistan, në adresë të familjes së tij dhe Forcave të Armatosura Shqiptare.

Duke vlerësuar veprën e kapiten Voglit, z.Dempsey siguroi shefin e shtabit të FA-së për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë, si një aleate e denjë dhe e sigurt në misionet e NATO-s dhe në luftën kundër terrorizmit.

Nga ana e tij, edhe gjeneralmajor Gjunkshi i shprehu gjeneral Dempsey ngushëllimet më të thella për humbjet e ushtarakëve amerikanë në ngjarjet e fundit në Kabul.

Më tej, Gjunkshi e siguroi gjeneralin Dempsey se rënia heroike e kapiten Voglit nuk e ka lëkundur aspak vendosmërinë e vendit tonë dhe të Forcave të Armatosura Shqiptare në pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse për aq kohë sa edhe aleatët amerikanë.

Në të njëjtën kohë të dy shefat e shtabeve gjetën rastin të shprehin edhe një herë kënaqësinë për takimin që pritet të zhvillohet së afërmi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në SHBA.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›