E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjurcanj. Jemi të interesuar për bankat, turizmin dhe infrastrukturën

20/05/2005  Nano fton biznesin e Hungarisë në privatizimet strategjike

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi dje takime me krerët më të lartë të Hungarisë. Kryeministri Fatos Nano u prit, në Pallatin "Sandor", në Budapest, në një takim të veçantë nga Presidenti i Hungarisë, Ferenc Madl. Presidenti hungarez vlerësoi vizitën e Kryeministrit Nano, si një moment pozitiv për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke theksuar se intensifikimi i kontakteve të nivelit të lartë. Ai mbështeti propozimin e Kryeministrit Nano për nënshkrimin e një marrëveshjeje për lehtësimin e regjimit të vizave për kategori të ndryshme. Ndërsa në takimin me Kryeministrin e Hungarisë, Ferenc Gjurcanj, janë diskutuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Dy kryeministrat ndanë të njëjtin vlerësim që kjo vizitë do t’i japë një impuls të ri edhe marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve me një axhendë konkrete bashkëpunimi për të afruar investitorët, sipërmarrjen dhe ekspertë në këtë drejtim. Kryeministri i Hungarisë, Gjurcanj, shprehu mbështetjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke theksuar se Shqipëria është pjesë e Evropës. Gjurcanj u shpreh se investitorët hungarezë janë të interesuar në fushën bankare, të turizmit, në fushën e infrastrukturës. Kryeministrat shprehën gjithashtu mbështetjen për të gjitha nismat që zgjerojnë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, si hartimin e një programi të përbashkët në fushën e biznesit dhe investimeve, bashkëpunimi në fushën e garantimit dhe sigurimit të eksporteve, intensifikimi i bashkëpunimit mes Dhomave të Tregtisë e Industrisë të të dy vendeve etj. Gjatë takimeve, Nano u shpreh se Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe qeveria dhe maxhoranca që unë drejtoj është e vendosur për të kontribuar për arritjen e standardeve. "Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen integruese të vendit", tha Nano. Sipas tij, aktualisht është në interes dhe vëmendje të partnerëve hungarezë privatizimi i dy bankave të tjera, Italo-Shqiptaro dhe Dardania, apo i shoqërisë sonë publike të sigurimeve. Janë në vëmendje gjithashtu potencialet turistike që ofron Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›