Tezat europiane për prejardhjen e vllehve
Të gjithë arumunët e Shqipërisë janë pjesë e grupit të madh të arumunëve të Ballkanit. Ajo që i bën krenarë, në mes shumë të tjerave, sipas tyre, është fakti se asnjëherë nuk e ndërruan besimin e tyre ortodoks, pavarësisht se e kanë humbur nacionalitetin. Gjeneza e arumunëve mbetet shumë e komplikuar (gjithsesi edhe ajo e shqiptarëve jo e shpjeguar plotësisht). Janë në fakt tri shkolla studimi që mundohen të sqarojnë origjinën e tyre. E para është shkolla europiane, e cila përfaqësohet së shumti nga Karaka, që pretendon se arumunët janë autoktonë të latinizuar, të cilët zinin vend në mbarë Gadishullin Ballkanik, e që vuajtën praninë romake për më shumë se një mijë vjet. Një tjetër studiues me emrin Schaferick, që përfaqëson po të njëjtën shkollë, thotë se “arumunët janë popullsi me prejardhje romake, që kanë jetuar në Daki, Maqedoni, Thesali e Shqipëri. Këto shpjegojnë në një farë mënyre edhe origjinën e tyre, bashkë me rumanishten nga latinishtja.
E dyta është shkolla e studiuesve rumunë, që thotë: ata popuj janë të ngjashëm dhe nisen nga premisa të njëjta. Sipas tyre, “arumunët janë super-rumunë”. Nikolae Jorga, një historian i shquar rumun, thotë se “arumunët janë romakët e rajonit ilir, se janë djepi i etnisë arumune në hapësirën ilirike dhe se kanë trungun e përbashkët trako-ilir, duke nënvizuar gjithashtu se shqiptarët janë autoktonë të paromakëzuar. E treta shkollë është ajo e studiuesve grekë, të cilët, edhe sipas vlerësimit të vetë arumunëve të Shqipërisë, në një vëllim përmbledhës të shoqatave të tyre mbi origjinën e tyre, kërkojnë ta fusin problemin arumun e të gjenezës së tyre në hullitë greke. Në vitet e fundit, është vënë re se një duzinë e tërë librash e vëllimesh publicistikë, destinohen për gjenezën e tyre dhe ndërkohë, shumë të tjerë presin të hidhen në qarkullim. Por nëse pyet pjesëtarët e komunitetit të tyre, gjithsesi ata vetë janë të vetëdijshëm se rrjedhin nga popullsia e stërlashtë trako-ilire e gadishullit të moçëm.
#