Gjurmët e gishtave e çojnë në pranga, e shpëton shoku
Ka rezultuar autor sipas shenjave të gishtave për vjedhjen e ndodhur në fshatin Dronociv në Rrethin e Beratit, por dëshmia e pronarit të banesës e ka liruar atë nga çdo akuzë. Burime të Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat bëjnë me dije se dje në mesditë është liruar nga salla e gjyqit shtetasi Lili Karakashi. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, e zhvilluar dje në mesditë, organi i akuzës kërkoi cilësimin si të paligjshëm të arrestimit të 43-vjeçarit, lindur dhe banues në lagjen "Tafil Skëndo" në qytetin e Kuçovës. Kjo kërkesë u bë nga organi i akuzës pas dëshmisë në prokurori nga pronari i banesës ku u vodh shuma prej 5 milionë lekësh dhe 5 mijë eurove. Kujtim Dyli, pronar i banesës së vjedhur, sapo ka mësuar lajmin se i arrestuari për vjedhjen ka rezultuar Karakashi, ka shkuar në organin e akuzës dhe ka përjashtuar çdo dyshim për përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Kjo dëshmi ka bërë që prokuroria t‘i kërkojë menjëherë gjykatës zhvillimin e seancën së masës së sigurisë. Në fjalën e tij, në organin e akuzës, pronari i banesës ka deklaruar se Karakashi nuk mund të jetë autor i vjedhjes, i cilësuar si i tillë nga shenjat e gishtave, pasi ato mund të ishin gjetur në qesen ku ndodheshin paratë, pasi ata së bashku punonin si kambistë. Një tjetër dëshmi që ka forcuar faktin se gjurmët e gishtave nuk e bëjnë autor të dyshuarin, ka qenë dhe shitja e një orendie shtëpiake, që Dyli kish blerë tek i dyshuari pak ditë para vjedhjes. Pas kërkesës për cilësimin e paligjshëm të arrestimit, gjykata mësohet ta ketë pranuar atë, çka ka liruar të dyshuarin nga akuza dhe arrestimi.