Gjurmët e gishtave të Shullazit në laborator

26/03/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda pret rezultatin e krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve të Emiliano Shullazit, me ato të gjetura gjatë atentatit te TVA-ja, më 16 tetor të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur, Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se këto ditë pritet të konkludohet në rezultatin e këtij krahasimi. Sipas burimeve, pas arrestimit të Emiliano Shullazit, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, policia ka skeduar gjurmët e gishtërinjve të këtij të fundit. Burimet thonë se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, dyshohet se Shullazi mund të jetë i implikuar në atentatin te TVA-ja. Për këtë shkak, gjurmët e gishtërinjve të tij prej disa ditësh janë çuar në Laboratorin Kriminalistik në Ministrinë e Rendit, ku do të krahasohen me ato të gjetura në autoveturën tip “Opel Vectra”, me të cilën u larguan atentatorët. Burimet sqarojnë se në autoveturën e djegur prej autorëve të atentatit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy karikatorë kallashnikovi, të cilat ishin të bashkuara me nastro. Pikërisht në këtë nastro, Prokuroria arriti të gjejë disa gjurmë gishtërinjsh, që dyshohet të kenë mbetur aty gjatë mbështjelljes së saj rreth karikatorëve. Këto gjurmë dyshohet të jenë të autorëve të atentatit te TVA-ja, thonë burimet e akuzës. Ato shtojnë se këto ditë pritet të kryhet krahasimi, i cili do të konkludojë nëse gjurmët e Shullazit përkojnë apo jo me ato të gjetura në nastro. Nëse ato do të jenë të kundërta, atëherë do të bien dyshimet ndaj Emiliano Shullazit për implikimin e tij të mundshëm në këtë ngjarje, theksojnë burimet. Kjo, pasi dyshimet janë të ngritura mbi informacione operative dhe jo në prova konkrete.