Krimet e Rënda hetim bratasit që u kap me 4 kg heroinë

26/03/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë dje në dorë hetimin për kapjen e 4 kilogramëve heroinë mbrëmjen e dy ditëve më parë në Portin e Durrësit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme. Ato thanë për gazetën se, paraprakisht dyshohet se i arrestuari ka qenë korrier i një grupi të mirorganizuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas burimeve, dyshohet se heroina mund të ketë pasur si destinacion edhe Zvicrën. Burimet theksojnë se po punohet për identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve të 24-vjeçarit nga fshati Syzezë i rrethit të Beratit. Mësohet se janë duke u verifikuar thirrjet e fundit telefonike që i prangosuri ka kryer, me qëllim identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit. Pasi të identifikohen personat me të cilët ai ka biseduar më shpesh ditët e fundit, do të verifikohet aktiviteti i tyre, duke përjashtuar ata, të cilët dalin jashtë çdo dyshimi. Mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21.30, policia e Portit të Durrësit gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale katër kilogramë heroinë në autoveturën e një të riu beratas. Sipas policisë, kishin mbërritur informacione operative për sasinë e drogës që do të udhëtonte drejt Italisë. Gjithashtu, policia mësohet të ketë marrë të dhëna edhe mbi identitetin e drejtuesit të autoveturës tip “Seat Ibiza” me targa italiane. Pas kontrollit, policia ka gjetur në hapësirën mes gomave dhe serbatorit sasinë e heroinës dhe ka arrestuar drejtuesin e mjetit, 24-vjeçarin Bledar Krasniqi.