E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjurmët në Angli. Gjykata: 45 ditë burg për Ben Qimen

Arben Isufaj, i forti i Fierit i njohur si Ben Qimja do të qëndrojë 45 ditë në arrest, derisa Prokuroria të ketë një përgjigje nga Anglia për ekspertizën e gjurmës së gishtit të tij. 

Fatos Mahmutaj

 Kjo ishte masa që Gjykata e Tiranës vendosi dje për të me kërkesë të organit të akuzës, pas dyshimeve që i arrestuari mund të jetë ekzekutori i Piro Koçiut në vitin 2002. Ndërsa avokati mbrojtës i biznesmenit 37-vjeçar pohoi se klienti i tij duhej të lirohej duke zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë që ia hiqte masën e sigurisë. Përfaqësuesi i Prokurorisë pohoi para gjykatëses së gatshme se, krimi për të cilin akuzohet 37-vjeçari fierak ka ndodhur më 12 gusht të vitit 2002 në rrugën "Him Kolli" në kryeqytet. Organi i akuzës sqaroi se, për këtë krim u hodh dyshimi se mund të ishte kryer nga Arben Isufi dhe Erjon Danaj, ndërsa personi që e futi viktimën në kurth ishte Fatlum Kadia. Pas ngjarjes policia arrestoi atëherë Kadinë, ndërsa Isufaj dhe Danaj mundën t'iu shpëtonin prangave. Një gjurmë gishti që u gjet në një nga armët e krimit u përcaktua nga ekspertët të ishte e të pandehurit Isufaj. Pas kësaj u zhvilluan hetime të cilat nxorën si motiv të krimit pretendimin që viktima kishte vrarë të atin e të pandehurit shumë vite më parë. Dërgimi i çështjes në gjykatë bëri që mbrojtja ta kontestonte këtë akt ekspertimi. Një ekspert i thirrur më pas në gjykim pohoi se gjurma e gishtit e gjetur në armën e krimit nuk i përkiste Isufajt. Më pas një tjetër ekspert pohoi të njëjtën gjë. Kjo detyroi gjykatën të thërriste në gjykim një grup prej tre ekspertësh të cilëve u ngarkoi ekspertimin e gjurmës së gishtit të gjetur në armë dhe krahasimin me ato të akuzuarit Isufaj që ndodhej në arrati. Në aktin e dorëzuar në gjykatë tre ekspertët pretenduan se gjurma, objekt ekspertimi, jo vetëm që nuk përputhej me ato të të pandehurit, por elementët përbërës të saj ishin shumë larg atyre të Isufajt. Kjo u bë shkak që seancën e fundit të procesit, gjatë konkluzioneve prokurori i çështjes të kërkonte tërheqjen e akteve për Isufajn dhe Danajn, ndërsa kërkoi 23 vjet burg për Kadiun. Por gjykata duke argumentuar se kishte të bënte me një procedim të lidhur urdhëroi rikthimin e dosjes për veprime të mëtejshme në organin e akuzës. Gjatë kësaj kohe Prokuroria ka dërguar në një laborator kriminalistik në Londër gjurmën papilare të gjetur në armë, e cila ka rezultuar të jetë e Isufajt. Pikërisht për këtë shkak Prokuroria do dërgojë sërish në Angli gjurmën e gishtit për t'u ekspertuar, por kësaj here nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë me anë të letër-porosive. 

6 vjet
më parë në rrugën "Him Kolli" në kryeqytet Arben Isufaj akuzohet të ketë ekzekutuar hasmin e vet Piro Koçiu
në një atentat të mirëpërgatitur 

45 dite
do të qëndrojë në arrest biznesmeni fierak Isufaj, kohë kjo e mjaftueshme për Prokurorinë për të ekspertuar në Angli gjurmët e tij papilare

Arben Isufaj
Biznesmeni fierak Arben Isufaj, i arrestuar katër ditë më parë në kryeqytet nën akuzën e vrasjes nuk pranoi dje të paraqitej në Gjykatën e Tiranës për të marrë pjesë në seancën e masës së sigurisë në ngarkim të tij. Duke pajisur me prokurë për ta përfaqësuar në mungesë avokatin e tij, Isufaj, mësohet të ketë pretenduar se nuk kishte dëshirë të bëhej objekt i kronikave dhe show-it mediatik. Po dje paradite, Isufaj u mor në pyetje nga përfaqësuesit e Prokurorisë ku veç mohimit të akuzës pretendoi se duhej të lirohej nga qelia pasi Gjykata e Lartë pak ditë më parë, si shkalla e fundit e gjyqësorit shqiptar kishte vendosur në favor të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›