E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i ilaçeve, ministria: Tenderat do të hapen në korrik

Pjesa më e madhe e tenderave për ilaçet do të hapet në korrik. Por Ministria e Shëndetësisë vijon të mohojë krizën në spitalin “Nënë Tereza”. 

 Sipas këtij dikasteri, ka rezerva të mjaftueshme për të përballuar çdo lloj situate. Brenda muajit qershor, nëpërmjet procedurave me negocim, pa botim paraprak të njoftimit, është parashikuar që të arrihet kontraktimi i 87 medikamenteve që rezultojnë të regjistruara për qarkullim nga një kompani e vetme, me një fond limit prej 424 milionë lekë. “Rreth 20 spitale të vendit kanë rezerva të mëdha medikamentesh dhe materialesh mjekimi (pasi një pjesë e madhe e pacientëve nga rrethet drejtohet në Tiranë), kanë ofruar një javë më parë sasi të konsiderueshme medikamentesh dhe materialesh mjekimi për t’i paraprirë çdo problemi”, thuhet në deklaratën për mediat. Ndërkaq, ministria sqaron se QSUT–ja, fondin e medikamenteve për vitin 2007 e ka nisur në muajin korrik dhe duke qenë se fondi është 1-vjeçar, përfundon në muajin korrik të 2008–ës. “Ky spital ka rezervat e mjaftueshme për të përballuar çdo lloj krize. Që në fillim të vitit 2008, QSUT-ja është autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për të zhvilluar procedurat e prokurimit për furnizimin me citostatike. Gjithashtu, QSUT-ja dhe gjithë spitalet e tjera janë udhëzuar nga Ministria e Shëndetësisë për të përdorur të gjitha hapësirat ligjore të prokurimit për furnizimin me artikuj emergjentë (medikamente ose materiale të tjera mjekimi) mungesa e të cilave mund të rrezikonte jetën e pacientëve”, theksohet në deklaratë. Ministria ka dhënë edhe argumentet për të justifikuar vonesën e hapjes së procedurave tenderiale. Një nga shkaqet ka qenë edhe aplikimi i TVSH me hyrjen në fuqi të ligjit të ri në shkurt. Ky ndryshim kërkonte rishikimin e fondeve për të bërë riplanifikimin.

Disa nga tenderat

1. Për  furnizimin e spitaleve me medikamente (metabolizmi, trakti tretës, organeve sensoriale etj.),fondi prej 86 653 209 lekë.
Data e hapjes së ofertave 10/07/2008
2. Për furnizimin e spitaleve me medikamente (sistemi genito-urinar, hormonale, sistemi kardiovaskular, nervor etj.). Data e hapjes së ofertave është caktuar më 11/07/2008.  
3. Për furnizimin e spitaleve me medikamente (sistemi psikiatrik, anestezi-reanimacion, respirator, gjaku etj.) me fond limit 93 118 439 lekë.
Data e hapjes së ofertave më 11/07/2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›