E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmët në armë arrestuan “Ben Qimen”

Një ekspertizë e realizuar në rrugë private në një laborator kriminalistik në Londër është bërë shkak për rihapjen e dosjes së personazhit të njohur me pseudonimin “Ben Qimja”. 

Trazhgim Sokolaj

Në fund të vitit të kaluar në Policinë e Shtetit ishte paraqitur një ekspertim i realizuar në Londër, i cili pretendonte se në armën me të cilën ishte vrarë Pirro Koçiu, më 12 gusht 2002 në Tiranë, ishin gjetur edhe gjurmë gishtash të cilat i përkisnin Arben Isufajt. Policia menjëherë ka rihapur dosjen duke referuar materialet në Prokurori. Madje organet e policisë kanë insistuar disa herë me radhë pranë organit të akuzës në mënyrë që Prokuroria të firmoste arrestimin e personazhit të njohur nga qyteti i Fierit. Tanimë që është arrestuar me akuzën e vrasjes nga policia e Tiranës, biznesmeni fierak Arben Isufaj duket se nuk të qëndrojë gjatë në ambientet e izolimit në paraburgim. Gjykata e Lartë ka vendosur dy javë më parë ndryshimin e masës së sigurisë ndaj 37-vjeçarit duke rrëzuar urdhrin e arrestit që ishte firmosur më 13 shkurt 2008 nga Gjykata e Faktit në Tiranë.
Arrestimi
Zyrtarisht policia pretendoi dje se nuk ishte njohur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë pak ditë më parë, duke ekzekutuar kështu kërkesën e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Faktit ndaj personazhit të njohur në qytetin e Fierit dhe në Tiranë me pseudonimin “Ben Qimja”. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se, as grupi hetimor i dosjes penale të hapur për vrasjen e vitit 2002 ndaj Arben Isufajt, nuk zotëron ndonjë kopje të vendimit të Gjykatës së Lartë që ka rrëzuar urdhrin e arrestit ndaj Arben Isufajt. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës deklaruan dje se, i kanë kërkuar gjykatës brenda 48 orëve, të vlerësojë ndalimin e 37-vjeçarit nga policia. Organi i akuzës duket se është mjaftuar me kaq duke pasur parasysh edhe vendimin e Gjykatës së Lartë të shpallur dy javë më parë, i cili ka rrëzuar urdhrin e arrestit dhe masën e sigurisë ndaj biznesmenit të njohur me pseudonimin “Ben Qimja”. Deri në dhjetor 2007, kundër tij nuk kishte ekzistuar asnjë provë që ta implikonte atë në vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002, ngjarje për të cilën është dënuar një tjetër person dhe është hetuar edhe një autor i tretë i dyshuar. Megjithatë që atëherë, në armën e krimit, tip pistoletë ishin administruar gjurmë që për shkak të pamundësisë teknike ishin konsideruar të paekzaminueshme nga policia shqiptare. Në dhjetor 2007 pala e interesuar ka arritur të bëjë një ekspertim daktilografik të këtyre gjurmëve në një laborator britanik, duke arritur në përfundimin se shenjat e gishtave në armë i përkisnin 37-vjeçarit, Arben Isufaj. Pas kësaj policia rihapi dosjen dhe e referoi atë në Prokurori duke pretenduar të arsyetonte implikimin e “Ben Qimes” në këtë ngjarje si një motiv të tij për hakmarrje ndaj viktimës. Në njoftimin e tri ditëve më parë nga policia e Tiranës thuhet se, “është mundësuar lokalizimi i shtetasit të shpallur në kërkim Arben Isufaj, i cili njihej ndryshe me pseudonimin (Ben Qimja). 37-Vjeçari, banues në Tiranë, u kap në sajë të një ndërhyrje të shpejtë policore, përgjatë orëve të mesditës në afërsi të Kopshtit Zoologjik në Tiranë.
Ndaj tij, Gjykata e Tiranës me vendim të datës 13 shkurt 2008 ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Policia: Dy akuza të tjera për biznesmenin

TIRANE - Vrasja e Pirro Koçiut, në muajin gusht të vitit 2002 në rrugën “Him Kolli”, sipas policisë nuk është e vetmja çështje që po hetohet në adresë të Arben Isufajt. Një vit më parë Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, referoi në Prokurorinë e rrethit ndaj Ben Qimes një procedim penal për kundërshtim të punonjësve të policisë. Ai dhe kushëriri i tij, Ahmet Isufaj rezistuan ndaj punonjësve të policisë që kishin mbërritur atje për të arrestuar Arben Isufajn. Më parë policia e Fierit kishte bllokuar hashash dhe marijuanë, të cilat dyshoheshin se ishin të Arben Isufajt. Për to Prokuroria nuk ka identifikuar persona konkretë si autorë apo se kujt i përkiste droga. Veç kësaj emri i Arben Isufajt ka dalë në përgjimet e “Bandës së Lushnjës”, të kryer nga autoritetet hetimore italiane. Një bisedë mes Enver Dondollakut me Aldo Baren, flitet për Arben Isufaj, pas kapjes së Julian Koçiut në Bari me një sasi prej 25 mijë eurosh. Ai duhej të nisej drejt Holandës për të blerë një sasi heroine për të furnizuar grupin në Itali. Por dosja më e plotë ndaj Isufajt është ajo e vrasjes së vitit 2002, në Rrugën e Kavajës. Isufaj akuzohet se bashkë me Erjon Danen dhe Fatjon Kadinë kanë ekzekutuar për hakmarrje Pirro Koçiun. I vetmi i arrestuar që tashmë qëndron në burg për ekzekutimin e Koçiut është Fatlum Kadia. Akuzat ndaj Erjon Danes dhe Isufajt, nuk janë vërtetuar nga Prokuroria e cila është detyruar ta kthejë sërish dosjen nën hetim për këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›