SHBA-të përshendesin arrestimin e te kërkuarit të Hagës, Zupljanini
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur arrestimin e Stojan Zupljaninit duke theksuar se një ngjarje e tillë përbën një hap të ri në përpjekjet për dërgimin përpara drejtësisë të personave përgjegjës për krime lufte. “SHBA-të përshëndesin arrestimin e Stojan Zupljaninit, i akuzuar i Gjykatës së Hagës, nga autoritetet serbe. Kjo gjykatë ka akuzuar Zupljaninin për tortura, vrasje dhe krime të tjera në Bosnje-Hercegovinë në vitin 1992”,-deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gonzalo Gallegos. “Departamenti i Shtetit beson se arrestimi dhe ekstradimi i të kërkuarve të tjerë, Radovan Karaxhiç, Ratko Mladiç dhe Goran Haxhiç do të vazhdojë”,-theksoi Gallegos.
Raund i ri bisedimesh në Nju Jork për emrin e Maqedonisë
Athina dhe Shkupi kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara një raund të ri bisedimesh për çështjen e emrit të Maqedonisë. Takimi u zhvillua midis ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç dhe dy përfaqësuesve të palëve negociuese, Nikolla Dimitrov dhe Adamantios Vasilakis. Ky takim ishte i pari pas një pushimi gati tre mujor pas Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku Maqedonia nuk arriti të marrë ftesën për anëtarësim në NATO për shkak të kontestit të emrit me Greqinë.
Takimi në Nju Jork përbën një nxitje për zgjidhjen e kontestit të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë. Para takimit trepalësh, dy ditët e kaluara kanë pasuar takime konslultative të ndara midis Nimiç dhe palëve negociuese. Nga ky takim nuk ka dalë ndonjë propozim i ri për emrin por vetëm u përcaktuan kahjet e vazhdimit të procesit negociator.
GREQI
Një tërmet i fuqishëm godet Kretën
Një tërmet me magnitudë 5,5 ballë të shkallës Rihter goditi dje në orët e para të mëngjesit ishullin grek të Kretës. Epiqendra e tërmetit, e kualifikuar si e fortë ishte në Zakro, pika qendrore e ishullit të Kretës, 385 kilometra në juglindje të Athinës. Ky tërmet ishte i treti brenda pak ditësh. Të dielën, më datë 8 Qershor një tërmet i fuqishëm, mbi 6 ballë goditi gadishullin e Peloponezit duke shkaktuar 2 të vdekur dhe dëme të mëdha materiale. Të plagosura mbetën edhe tre shtetase shqiptare.
IRAN
Ekzekutohet me varje një 17-vjeçar
Në Iran është ekzekutuar me varje një djalosh 17-vjeçar, i cili akuzohej për vrasjen e një 10-vjeçari. Ky vend me këtë veprim ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara, të nënshkruar edhe nga Teherani, ndonëse ka pasur kërkesë zyrtare për mosekzekutimin e të miturve, kanë njoftuar mediat botërore. Mohamed Hasanzade, është i ekzekutuari i dytë i mitur që është varur sivjet. Më 2007 janë ekzekutuar 7 të dënuar. Ai ishte dënuar për vrasjen e një djaloshi 10-vjeçar vitin e kaluar.
BRITANI
Parlamenti ashpërson ligjin kundër terrorit
Personat e dyshuar për terrorizëm në Britaninë e Madhe, mund të mbahen të arrestuar në të ardhmen deri në 42 ditë pa akuzë. Parlamenti në Londër ka miratuar ashpërsimin e një projektligji antiterror. Koha e qëndrimit në arrest ishte maksimalisht deri në 28 ditë, megjithatë beteja për projektligjin mbi terrorin nuk ka mbaruar. Beteja parlamentare tani shkon në dhomën e lordëve, ku laburistët nuk kanë shumicën dhe ku 42-ditëshi pritet të mos fitojë.
ITALI
Bushi viziton Romën dhe Vatikanin
Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka arritur në Romë si pjesë e turneut të tij europian. Ai ka biseduar me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni për programet bërthamore të Iranit dhe angazhimin më të madh të NATO-s në Afganistan. Pjesë e programit të tij në këtë vend është edhe takimi në Vatikan me Papa Benediktin XVI. Presidenti Bush udhëtoi drejt Romës nga Gjermania, ku u takua me kryeministren gjermane, Angela Merkel me të cilën diskutoi edhe për çështjen e Kosovës.
13 Qershor 2008