E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyakata lë në burg shefin e Qarkullimit të Kuçovës

27/03/2005  Akuzohet për mitmarrje

BERAT – “Burg pa afat” ka dhënë dje Gjykata e Shkallës së Parë e Beratit, për 47-vjeçarin Muhamet Poni, shefi i Qarkullimit rrugor të Policisë së Kuçovës.

Organi i akuzës, i cili përfaqësohej nga prokurorja Ermonela Felaj, kërkoi para trupit gjykues, të kryesuar nga Fatime Velçani, masën e sigurisë, “burg pa afat”, për oficerin e dyshuar për mitmarrje. Kjo masë, sipas organit të akuzës, kërkohej për t’i dhënë kohë atij, që të hetonte rreth akuzës të ngritur për oficerin e dyshuar për mitmarrje.

Me kërkesën e prokurores, nuk ka qenë dakord avokati i të arrestuarit, i cili ka kërkuar para trupit gjykues që për klientin e tij të jepet një mas më e ulët dënimi, pasi, sipas tij, ai nuk përbën asnjë rrezik shoqëror dhe se ai është pjesë e organit nga ku akuzohet dhe nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Pas vendosjes të masës së arrestit burg pa afat, avokati Bardhosh Bardhi është shprehur për gazetën se, “do ta revokoj masën e dënimit brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit në qytetin e Vlorës”.

Në ambientet e gjykatës, familjarët e oficerit të akuzuar për mitmarrje kanë shprehur shenja nervozizmi dhe kanë kërkuar vendosjen e drejtësisë, duke e quajtur të padrejtë vendosjen e kësaj mase nga trupi gjykues. Sipas tyre dhe vetë të akuzuarit para trupit gjykues, drejtuesi i mjetit Beqir Paja ja ka futur lekët në xhepin e xhaketës pa e ditur oficeri në momentin që ku i fundit ka qenë duke futur dokumentet në dosjen në makinën e policisë. Madje, oficeri i akuzuar për mitmarrje tha se ky skenar është i përgatitur nga shefi i SHKB, së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, Ilir Oboni.

Ngjarja, për të cilën akuzohet Muhamet Poni, ka ndodhur tri ditë më parë në një lokal në qendër të qytetit të Kuçovës. Sipas burimeve të policisë u mësua se oficeri i lartë i policisë rrugore ishte përfshirë në një aferë mitmarrjeje, duke ndërruar dekumentet e një makine me një sasi prej 2 mijë lekësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›