E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau kushërirën për një dhi,dënohet me 17 vjet burg

27/03/2005  Ngjarja në dhjetor 2003, dje vendimi i gjykatës Fier

FIER - Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka deklaruar fajtor të pandehurin Sazan Levani, për veprën penale të vrasjes me dashje, parashikuar nga neni 76 e Kodit Penal. Gjyqtarja Nafije Curri, kryetare e trupit gjykues, i ka komunikuar dje të akuzuarit, dënimin me 17 vjet burg.

Vrasja

Nga shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje ka rezultuar se i pandehuri Levani, me banim në Fratar, të Mallakastrës, më 24 dhjetor të 2003 ka shkuar për të kullotur bagëtitë në afërsi të tokës së shtetasit Selman Demiraj, të cilin e ka realisht burrin e hallës. Ndërkohë, një nga bagëtitë është shkëputur nga tufa dhe, pasi ka kaluar në kopshtin e Selmanit, ka rënë në çarkun e ngritur prej tij, duke ngordhur pas gjysmë ore. Më pas pronari i bagëtive, Sazan Levani, pasi ka konstatuar ngordhjen e dhisë, ka njoftuar babanë e tij, Azbi Levani. Ky i fundit ka lajmëruar dy prej njerëzve të tij që të shkonin në tokën e Selam Demiraj (burrit të motrës) dhe të mësonin mbi shkaqet e ngordhjes së dhisë. Pas kësaj ngjarjeje, i pandehuri ka takuar rastësisht Valentina Demiraj, vajza e hallës së tij, e cila po shkonte për të korrur hasëll. Ata kanë debatuar së bashku për problemin e dhisë, e cila kishte ngordhur në kopshtin e Valentinës, kushërirës së tij. Në një moment, kur gjendja është acaruar së tepërmi, i pandehuri ka marrë drapërin nga dora e kushërirës dhe me të e ka qëlluar disa herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Autori

Ngjarjen e ka parë në distancë një bashkëfshatare e tyre (e cila ka dëshmuar para trupit gjykues), e cila ka njoftuar menjëherë mamanë e Valentinës, H.Demiraj. Kjo e fundit sapo ka parë skenën e tmerrshme, ka ndërhyrë duke i bërtitur nga larg të pandehurit, të cilin e kishte djalin e motrës, “çfarë po bën”?. Por i pandehuri, pasi e ka parë shtetasen Valentina Demiraj (kushërirën) të vdekur, është larguar me shpejtësi.

Pas këtij momenti, Sazan Levani, tashmë vrasës, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe është fshehur 24 orë në pyllin afër fshatit dhe po në këtë ditë, ai është dorëzuar në polici.

Nisur nga dëshmitë e shumta të dëshmitarëve, të cilët kishin parë ngjarjen, ose kishin dijeni për faktet e parashtruara si dhe rrethanave që kanë lidhje me të, prokurori Petrit Vukaj ka kërkuar që i pandehuri Sazan Levani të deklarohet fajtor dhe në bazë të nenit 76 të Kodit Penal kërkoi dënimin me 17 vjet burg. Gjyqtarja Nafije Curri, pasi ka dëgjuar edhe avokatin Zenun Hadermataj, i cili kërkoi për të pandehurin një dënim prej 5 vjetësh, përfundimisht e ka dënuar atë me 17 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje të shtetases Valentina Demiraj, kushërirës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›